
Një inspektim i përgjithshëm në barnatoren e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Piranë të Prizrenit ka zbuluar një seri mangësish që prekin stafimin profesional, menaxhimin e barnave, sistemin elektronik, kushtet e ruajtjes dhe transportimin e produkteve medicinale, raporton portali Front Online. Raporti i Inspektoratit Farmaceutik, i hartuar më 2 qershor 2026 pas kontrollit të 30 prillit, është shumë më serioz sesa një konstatim rutinor administrativ. Në të renditen mangësi të klasifikuara edhe si “kritike” dhe “të mëdha”. Gjetja kryesore është mungesa e stafit profesional të kërkuar. Sipas raportit, QMF Piranë nuk kishte të punësuar farmacist përgjegjës ose teknik të farmacisë. Dokumenti identifikon Burim Sallaukën si farmacist përgjegjës në barnatoren e QKMF-së në Prizren, ndërsa Hyrmete Hysenin si person përgjegjës për depon dhe distribuimin e produkteve e pajisjeve medicinale.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik
Por, për vetë QMF-në në Piranë, Inspektorati e ka klasifikuar si mangësi kritike faktin që nuk kishte farmacist përgjegjës ose teknik farmacie të punësuar. Problemet nuk përfundonin aty. Raporti konstaton se QMF-ja në Piranë nuk ishte e lidhur me sistemin SMSF, ndërsa furnizimi bëhej përmes fletëkërkesës. Po ashtu, sistemi për menaxhimin e stokut farmaceutik nuk funksiononte. Kjo është renditur nga inspektorët si mangësi e madhe.
Subjekti, sipas raportit, nuk posedonte pajisje klimatizimi për sigurimin e temperaturës dhe lagështisë së hapësirave në përputhje me deklaratat e prodhuesve për ruajtjen e produkteve dhe pajisjeve medicinale.
Raporti evidenton edhe se dokumentacioni për pesë vitet e barnatores nuk ruhej në tërësi: mungonin ndër të tjera regjistrat e termohigrometrit, produktet me afat të skaduar dhe evidencat e higjienës, raporton portali Front Online.
Inspektorati evidentoi gjithashtu se trajnimet e personave përgjegjës për pranimin, deponimin, shpërndarjen dhe menaxhimin e produkteve medicinale ishin mbajtur, por nuk ishin dokumentuar.
Sipas raportit, transportuesi nuk ishte i trajnuar për ruajtjen e produkteve që dërgohen në njësitë periferike, ndonëse ishte informuar për këtë. Inspektorati urdhëroi që mangësitë e mëdha të sanoheshin brenda 30 ditëve pune, ndërsa mangësitë e tjera brenda 15 ditëve pune, dhe paralajmëroi riinspektim.
Front Online ka siguruar dosjen e plotë të inspektimeve të Inspektoratit Farmaceutik në barnatoret në gjithë Kosovën, për periudhën 1 janar 2025 – 30 qershor 2026, dhe do ta publikojë atë në tërësi – Vazhdimi 63