
Vlada Kharebova po përpiqet të heqë dorë nga shtetësia e saj ruse që nga viti 2022, por deri më tani s’ka pasur sukses.
Kharebova jeton në Letoni dhe po kërkon shtetësinë e këtij vendi për veten dhe dy fëmijët e saj. Por, ky shtet baltik përgjithësisht nuk lejon shtetësinë e dyfishtë në raste të tilla: Ligji përcakton se shtetësia e dyfishtë letonezo-ruse nuk lejohet.
Ajo është përballur me probleme me Konsullatën ruse në Riga, e cila, sipas saj, ofron një listë të dokumenteve të kërkuara, por pak udhëzime se si mund të sigurohen ato.
“Kur telefononi ose i shkruani Konsullatës, ata thonë: ‘Ne nuk merremi me këtë. Na vjen keq, nuk mund t’ju ndihmojmë’”, i tha Kharebova Current Time.
Vajza e saj u përball me një tjetër pengesë kur Konsullata refuzoi ta pranonte aplikimin e saj, sepse ajo nuk kishte sjellë një kopje të diplomës së universitetit nga Rusia. Kharebova tha se kjo kërkesë nuk ishte e përfshirë në udhëzimet në dispozicion.
Për rusët që jetojnë jashtë vendit dhe duan të heqin dorë nga shtetësia ruse, qoftë për arsye ligjore, burokratike apo morale, ose për një kombinim faktorësh, procesi mund të zgjasë me vite. Dhe, tani ai është bërë dukshëm më i shtrenjtë, si për ata që ndodhen brenda, ashtu edhe për ata jashtë Rusisë./Express