×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes në Prizren propozon që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik

    FrontOnline
    17 Korrik 2020

    Mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Bajram Velija, avokati Orhan Rekathati ka propozuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik.

    Një propozim të tillë avokati Rekathati e ka bërë në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren.

    Fillimisht, avokati Rekathati deklaroi se ka dërguar kërkesë me shkrim për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se aktakuza është e paqartë.

    Ai deklaroi se klienti i tij, në seancën e parë, e ka pranuar që e ka privuar nga jeta viktimën, mirëpo tha se nuk e ka pranuar se e ka bërë me dashje.

    Se veprën nuk e ka kryer me dashje apo paramendim tha edhe i akuzuari Velija, duke u deklaruar edhe një herë tjetër i pafajshëm për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.

    Avokati Rekathati propozoi që të bëhet ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin, edhe përkundër faktit që nuk posedojnë ndonjë dokument që e mbështet propozimin e tyre, si dhe faktit që vet i pandehuri në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i sëmurë psikik ose në ndonjë trajtim tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këto, prokurorja Ervehe Gashi fillimisht deklaroi se i kundërshton në tërësi pretendimet e mbrojtjes lidhur me kërkesën e tyre për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, pasi tha se nga provat në të cilat bazohet aktakuza, si dhe nga vet përshkrimi faktik, vrasja e anëtarit të familjes, rezulton se i akuzuari këtë vepër e ka kryer me dashje.

    Ndërsa në lidhje me propozimin për ekzaminim psikiatrik, prokuroja tha se nuk ka asnjë fakt që tregon ndonjë çrregullim mendor të akuzuarit.

    Sipas prokurores, nëse i referohemi provave materiale, rezulton se i akuzuari ka pasur kohë që ta qetësojë veten, pasi tha se ka ecur gati 1 km deri sa e ka takuar viktimën.

    Lidhur me këtë, prokurorja Gashi kërkoi nga gjykata që të mos e pranoj këtë propozim të mbrojtjes.

    Deklarimin e prokurores e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Granit Vokshi, duke kërkuar që kërkesa për hudhjen e aktakuzës të refuzohet.

    Kurse lidhur me propozimin për ekzaminim psikiatrik, avokati Vokshi tha se i njëjti propozim është tërësisht i pambështetur, për arsye se standardi i kërkuar ligjor për të urdhëruar ekzaminimin psikiatrik është ekzistenca e dyshimit se i pandehuri ka vepruar në gjendje të paaftësisë mendore.

    Tutje ai deklaroi se ekzistenca e dyshimit duhet të mbështet në prova, ndërsa në kërkesën për kundërshtim të provave thuhet se i pandehuri kurrë në jetën e tij nuk ka pasur çrregullime mendore, andaj dhe kërkoi nga gjykata që ta refuzojë një propozim të tillë.

    Fjalën e prokurores dhe atë të avokatit Vokshi e mbështeti edhe e dëmtuara Diellza Hoti, që njëherit është vajza e viktimës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas këtyre deklarimeve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi e refuzoi si të pabazuar propozimin e mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se me 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, Armenda Aliu-Velija.

    Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

    Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

    Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

    Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

    Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit të kaluar.

    Nga Rubrika
    Lajme01 Qershor 2025
    Policia e Kosovës ka ndaluar një mashkull kosovar në pikën kufitare Glloboqicë, të cilit gjatë kontrollit në veturën e tij iu gjet...
    Lajme01 Qershor 2025
    Sot, më 1 Qershor shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e cila festohet me dashuri dhe përkushtim në mbarë botën. Me këtë rast,...
    Lajme01 Qershor 2025
    Një person është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e QKMF’së në Skenderaj. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin...
    Të tjera
    Lajme01 Qershor 2025
    Me afrimin e festës së Kurban Bajramit, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të qartë qytetarëve të...
    Lajme01 Qershor 2025
    Mosfunksionalizimi i Kuvendit të Kosovës ndonëse po bëhen gati katër muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e 9 shkurtit, po shkakton pasoja...
    Lajme01 Qershor 2025
    Mijëra besimtarë myslimanë nga Kosova kanë shkuar në vendet e shenjta për ta kryer Haxhin. Por, nga atje sot erdhi një lajm...
    Sport01 Qershor 2025
    Lionel Messi ka vazhduar me paraqitje të jashtëzakonshme në elitën e futbollit amerikan MLS. Inter Miami ka marrë fitore të thellë 5-1...
    Lajme01 Qershor 2025
    Ismet Mulaj, njohës i ekonomisë dhe energjetikës, e cilëson vendimin  për të dalë në treg të lirë si të nxituar dhe të...
    Lajme01 Qershor 2025
    Një shqiptar me shtetësi të huaj është arrestuar në Llapnasellë pasi tentoi largohet nga një market pa paguar. Ai u ndalua nga...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.