
Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi i LVV-së, i ka dalë në mbrojtje kryeparlamentares Vjosa Osmani, pasi presidenti i vendit Hashim Thaçi ka hedhur akuza në drejtim të familjes së kësaj të dytës për bashkëpunim me Serbinë.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “janë grupi parlamentar i LVV dhe Vjosa Osmani pengesa e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë që Thaçi dhe qeveria e tij duan ta kalojnë në Parlamentin e Kosovës”.
“Lufta e Thaçit kundër Vjosa Osmanit është e qëllimshme sepse janë grupi parlamentar i LVV dhe Vjosa Osmani pengesa e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë që Thaçi dhe qeveria e tij duan ta kalojnë në Parlamentin e Kosovës”, ka shkruar Abazi.
Më tej ai ka thënë se “Thaçi ka paguar qindra mijëra euro për lobim që ndarja e Kosovës të pranohet nga ana e Gjermanisë dhe shtetet tjera Evropiane. Ato kanë refuzuar dhe kjo është arsyeja që Thaçi e urrenë Bashkimin Evropian dhe ndërmjetësimin në dialog”.
Thaçi thotë se familjarë të Vjosa Osmanit i kanë shërbyer Serbisë
Ndryshe, presidenti Thaçi, sonte në një intervistë televizive ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, duke thënë që dikush nga familja e saj i ka shërbyer Serbisë.
“Projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata”, ka thënë Thaçi.
Ndaj akuzave të Thaçit ka reaguar menjëherë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka shkruar në Facebook, se babai i saj e ka njohur për komandant suprem ish-presidentin, Ibrahim Rugova, kurse Thaçi po e shpallë tradhtare familjen e saj, ashtu siç e shpallte dikur Rugovën me komunikatat e tij gjatë viteve të ’90-ta.