
Deputeti Behgjet Pacolli mund të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovë dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush. Kështu po vlerëson për Front Online, njohësi i çështjeve juridike dhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Ai tha se derisa Pacolli nuk vërtetohet se është i infektuar me Covid-19, në bazë të Kushtetutës dhe praktikës së demokracive parlamentare, atij nuk guxon t’ia cenojë askush këtë të drejtë.
LEXO EDHE: Miftaraj: Kushtetuesja mund ta shtyjë seancën për votimin e Qeverisë së re
“Deputeti Behgjet Pacolli i ka të gjitha të drejtat për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Në bazë të asaj që jep Kushtetuta dhe praktika e demokracive parlamentare, nuk guxon dhe nuk mundet askush të ja mohoj e cenojë të drejtën për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Nëse Pacolli vërtetohet që është i infektuar me Covid-19, atëherë sigurisht që vlejnë procedurat tjera. Deri në momentin që nuk ka asnjë vërtetim të tillë, ai është i barabartë me deputetët e tjerë”, ka thënë Miftaraj për Front Online.
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, së fundi është kthyer nga Zvicra, por debati u bë rreth asaj se a duhet të karantinohet dhe të mos i lejohet atij të marrë pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet Qeveria Hoti./Front Online/