Gjatë javës së kaluar autoritetet shëndetësore paralajmëruan se do ta publikojnë analizën për vdekshmërinë e lartë nga coronavirusi në Maqedoni.
Me 712 pacientë të vdekur që nga fillimi i pandemisë, Maqedonia e Veriut është e para për vdekjet nga vendet tjera të rajonit. Edhe pse të dhënat tregojnë se Bullgaria ka 779 persona të vdekur, Bosnja 802 dhe Serbia 745 vdekje, në Maqedoni ka më pak popullatë, prandaj edhe përqindja e vdekshmërisë është më e madhe. Që nga fillimi i epidemisë, në Maqedoni numri i të infektuarve arriti deri 17.200, ndërsa përqindja e vdekshmërisë në Maqedoni është 4.14 për qind.
Parashtrohet pyetja se ku dështoi sistemi shëndetësor i Maqedonisë në lidhje me vdekshmërinë e lartë. Autoritetet shëndetësore thonë se ka disa arsye, ndërsa të dhëna nga klinikat ende nuk ka.
Sipas mjekëve amë, problemi është në algoritmin e testimeve. Ata shtojnë se edhe pse ka pasur pacientë që kanë pasur simptoma, nuk kanë arritur në kohë të testohen dhe gjendja shëndetësore tek ata është përkeqësuar deri në nivelin ku ka qenë vonë për t’u shpëtuar.
Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Aleksandar Stojanov thotë se një nga arsyet e vdekshmërisë së lartë është që në kulmin e epidemisë, një pjesë e madhe e të infektuarve e fshihnin se janë të infektuar, dhe gjatë kohë janë shëruar në shtëpi dhe vetëm në gjendje tepër të keqe shëndetësore kërkonin ndihmë në spitale.
Ndryshe, analiza e vdekshmërisë që duhet të publikohet gjatë javës së kaluar duhet të përmbajë të dhëna të detalizuara për pacientët që kanë humbur jetën nga virusi COVID-19.