Më shumë se 550 banorë dhe pjesëtarë të stafit në një qendër për kujdesin ndaj të moshuarve në Viktoria të Australisë janë diagnostikuar me koronavirus. Autoritetet i kanë injoruar thirrjet që personat e prekur të transferohen në spitale.
Rajoni Viktoria i Australisë të dielën regjistroi rekord të rasteve fatale të shkaktuara nga koronavirusi me dhjetë të vdekur për 24 orë. Shtatë prej këtyre rasteve ishin të lidhura me përhapjen e virusit në qendrat për kujdesin ndaj të moshuarve.
Tash për tash janë 560 raste aktive të lidhura me banorët dhe stafin e së paku 40 qendrave të këtilla në mbarë rajonin, përfshirë 82 raste në Ardeer dhe 78 të tjera në Fawkner, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Kriza e pandemisë i detyroi qeveritë lokale dhe atë qendrore që të formojnë një qendër të reagimit, ku do të koordinohen përpjekjet për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
Zëvendësshefi i Shëndetësisë, Nick Coatsworth, tha se të gjitha agjencitë duhet të punojnë së bashku për t’i marrë gjërat nën kontroll sa më shpejt që është e mundur.
“Kjo është një sfidë për të cilën ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për t’u takuar shpejt për sigurinë e atyre që janë të ndjeshëm dhe të varur ndaj kujdesit brenda qendrave të kujdesit për persona të moshuar në Viktoria”, tha ai.