Banorët e 15 fshatrave të Komunës së Dragashit po vazhdojnë të kenë sfidë furnizimin me ujë të pijshëm. Përkundër që ka pesë vjet që është shpallur tenderi për ujësjellësin, “lojërat e pingpongut” mes komunës dhe OSHP-së ka bërë që ky projekt të zvarritet.
Në një konferencë për media, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe organizata jo-qeveritare INPO kanë vënë në pah shkeljet e ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Drejtoresha e INPO-së, Albulena Nrecaj duke folur për shkeljet ligjore ndërmjet komunës së Dragashit dhe OSHP-së, tha se qytetarët janë ata që po humbin më shumë.
“Furnizimi me ujë pijshëm vazhdon të mbetet njëri prej problemeve kryesore me të cilat po ballafaqohen banorët e 15 fshatrave të komunës së Dragashit. Problemin me ujin e pijes s’po mund të zgjidhin për afër 5 vjet me radhë për shkak të tenderit maratonik, i cili ka mbetur pa epilog si rezultat i lojës së pingpongun me këtë tender, i cili luhet mes komunës së Dragashit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit”, tha ajo.
Ndërsa, Mirvet Thaçi nga IDK-ja tha se lufta për tenderin të ujësjellësit në komunën e Dragashit tashmë ka kaluar në organet e drejtësisë.
“Lufta për tenderin të ujësjellësit në Komunën e Dragashit tashmë ka kaluar në organet e drejtësisë. Janë duke u zhvilluar në beteja në dy fronte. Së pari, përmes kërkesës për hetim penale, e cila është në adresën e prokurorisë penale në Prizren dhe së dyti, përmes padisë e cila është dorëzuar në Departamentin për çështje administrative në Prizren”, tha ai.
Investimet për ujësjellësin e Dragashit kanë filluar shumë vite më parë, ndërsa për këtë projekt janë investuar qindra-mijëra euro