×
  • Kronika
  • Kronika

    Polici në Prizren u përball sot në gjykatë për përvetësimin e 5 eurove

    FrontOnline
    25 Qershor 2020

    I dëmtuari Sylë Shala ka deklaruar se nuk është i interesuar për ndjekje penale, në rastin e zyrtarit policor Selman Ukzeka, i cili po akuzohet për përvetësim të 5 eurove.

    Ukzeza po akuzohet se si zyrtar policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej 5 euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë rast, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, është dëgjuar i dëmtuari Shala, i cili deklaroi se një zyrtar policor me emrin Remzi Bujari, së bashku me një polic tjetër me rroba civile, emrin e të cilit tha se nuk e din, ia kanë sjellë dy bankënota me nga 5 euro për ushqim.

    Shala bëri të ditur se gjatë marrjes në pyetje me vete ka pasur kuletën, zingjirin e qafës, orën e dorës dhe dy kartëmonedha nga 5 euro.

    Ai tha se për pranimin e bankënotave nga 5 euro nga polici Remzi Bujari ka nënshkruar në letrën e konfiskimit të parave.

    I dëmtuari po ashtu deklaroi se gjatë arrestimit ka pasur me vete gjithsej 1,460 euro dhe bankënota tjera hungareze të pavlera, duke shtuar se polici Bujari i ka thënë të nënshkruaj që i ka marrë dy bankënota nga 5 euro nga paratë e konfiskuara, për ta sjellë ushqim natën.

    Gjatë seancës i dëmtuari deklaroi se nuk është i interesuar për këtë ndjeke penale dhe se nuk parashtron kërkesë pasurore juridike.

    Pas dëshmisë së të dëmtuarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Thaqi, i propozoi trupit gjykues që si dëshmitar të ftohet edhe Bahtijar Belloda.

    Trupi gjykues aprovoi kërkesën e palës mbrojtëse.

    Ndryshe, në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari u deklarua përsëri i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

    Në këto rrethana, palët në procedura dhanë fjalët e tyre hyrëse.

    Prokurori Biraj, gjatë fjalës hyrëse, deklaroi se në bazë të provave që janë grumbulluar gjatë hetimeve e që i janë bashkangjitur aktakuzës, do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

    Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Thaqi deklaroi se qëndron pranë pretendimeve se i mbrojturi i tij është i pafajshëm dhe se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme e bindëse se i mbrojturi i tij është fajtor.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osnmani njoftoi palët se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet me 17 korrik 2020, në ora 10:30.

    Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, Selman Ukzeka akuzohet se me 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

    Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent.

    Nga Rubrika
    Kronika02 Janar 2025
    Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës kundër drogës në rrugën ”Bejtush Gërbeshi”, rezultoi me...
    Kronika01 Janar 2025
    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) bën të ditur se e ka arrestuar të martën një zyrtar policor nën dyshimin se i njëjtit...
    Kronika31 Dhjetor 2024
    Një person është arrestuar në Pejë pasi më 25 dhjetor të këtij viti pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje e kishte kanosur...
    Të tjera
    Lajme02 Janar 2025
    Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdoi të fuqizohej edhe gjatë 2024-s. Ushtria u furnizua me armatime, makineri ushtarake e municion. Teksa, prapa...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Ësht nxjerrë nga lumi vetura bashkë me tre trupa të pajetë. Policia dhe ekipet e shpëtimit janë në kërkim të personit të...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Është nxjerrë nga lumi vetura me tre trupa të pajetë. Siç raporton Alsat në veturë, ka qenë edhe një fëmijë i moshës...
    Lajme02 Janar 2025
    Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri ka thënë se marrëveshja e fundit e bashkëpunimit ndërmjet...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme përgjatë lumit Vardar, në rrugën Rashçe-Saraj. Burimet policore sipas Alsat, bëjnë të ditur...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Autoritetet e Malit të Zi kanë dalë sot me detaje lidhur me tragjedinë e mbrëmshme në Cetinje, ku 45-vjeçari  Aco Martinoviq vrau...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.