
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një intervistë për Front Online, ka folur për një bashkëpunim të mundshëm të kësaj partie me Lëvizjen Vetëvendosje. Siç tha ai, PDK-ja është e hapur për çdo subjekt politik, mirëpo me VV-në, Tahiri potencoi se kanë dallime të mëdha.
“PDK-ja në radhë të parë e ka deklaruar që nga fillimi që vija të kuqe nuk ka vendosur për asnjë subjekt politik. Pra ne në parim kemi qenë dhe jemi të hapur për bashkëpunim për agjendën tonë shtetërore për të gjitha partitë politike. Mirëpo, dallimi mes neve dhe LVV-së në rrugëtimin tonë politik është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë ai për Front Online.
Duke përmendur dallimet në mes të këtyre dy partive, Tahiri theksoi se ndryshe nga VV-ja, PDK-ja është parti shtetformuese.
“Unë e kam thënë edhe më herët që personalisht e shoh si pothuajse të pamundur çfarëdo bashkëpunimi në mes të LVV-së dhe PDK-së, sepse kemi jashtëzakonisht shumë dallime të mëdha në agjendat tona politike dhe në përcaktimet tona. PDK-ja është parti shtetformuese, është parti e cila ka pasur rolin kyç në shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, prandaj e shoh si shumë të vështirë një bashkëpunim të tillë. Unë nuk dua që të paragjykojë tani, dua t`ia lë kohës”, ka thënë ndër të tjera.