
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një intervistë për portalin “Front Online”, ka shprehur dronë se ish-ministri Xhelal Sveçla mund t’i ketë në duar të përgjimet e 1 milion konsumatorëve të Telekomit. Sipas tij, edhe Haki Abazi ka qenë në Kopaonik, për të cilat takime, siç thotë ai, presidenti Thaçi është informuara nga institucionet e sigurisë. Deputeti i PDK-së tregon nëse partia e tij do të bëj koalicion me partinë e Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nuk u zgjati as 50 ditë koalicioni qeverisës. Ndonëse të dy partitë në fillim te shkurtit të këtij viti e lidhën “Koalicionin e Shpresës”, ndërsa në mesin e marsit e prishën të njejtin, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, raporton portali Front Online.
Lidhur me këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, njëherit ish-ministër i Drejtësisë, në një intervistë për Front Online, ka thënë që ky ishte një koalicion i lidhur vetëm për interesa personale dhe për pazare politike.
“Ne e patëm një koalicion që fillimisht u ndërtua në mes të VV-së dhe të LDK-së, një koalicion me shpresa të rreme, një koalicion i cili filloi dhe thuajse ishte koalicion për shtetin, por realisht u pa që ishte koalicion për pazaret e individëve të caktuar, individëve të fortë brenda dy kampeve politike dhe përfundoi ashtu siç do të duhej që të përfundonte”, ka thënë Tahiri në një intervistë për Front Online.
E ndaj punës që është zhvilluar nga ky koalicion qeverisës, Tahiri ka theksuar se kanë qenë mjaftë të zëshëm. Deputeti i PDK-së, ka bërë të ditur, se me këtë ritëm do të vazhdojnë edhe gjatë udhëheqjes së qeverisë së sapoformuar, Qeverisë “Hoti”.
“Ne kemi qenë jashtëzakonisht të zëshëm, të ashpër në angazhimin tonë opozitar si PDK, gjatë periudhës sa Z.Kurti e ka drejtuar Qeverinë e Kosovës. Padyshim që edhe tani do të jemi me të njëjtin intensitet të punës, me të njëjtin ritëm. PDK-ja do të jetë një opozitë dhe do ta ngrisim zërin për çfarëdo keqpërdorimi. Për të gjitha abuzimet që i shohim si në sferën ekonomike, qofshin në sundimin e ligjit, qofshin në shëndetësi, ne do të jemi jashtëzakonisht shumë kritik dhe do të nxjerrim në pah të gjitha të metat që do të dalin nga ky koalicion”, ka thënë ai ndër të tjera për Front Online.
Tahiri tregon nëse do të ndodhë koalicioni PDK-LVV
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një intervistë për Front Online, ka folur për një bashkëpunim të mundshëm të kësaj partie me Lëvizjen Vetëvendosje. Siç tha ai, PDK-ja është e hapur për çdo subjekt politik, mirëpo me VV-në, Tahiri potencoi se kanë dallime të mëdha.
“PDK-ja në radhë të parë e ka deklaruar që nga fillimi që vija të kuqe nuk ka vendosur për asnjë subjekt politik. Pra ne në parim kemi qenë dhe jemi të hapur për bashkëpunim për agjendën tonë shtetërore për të gjitha partitë politike. Mirëpo, dallimi mes neve dhe LVV-së në rrugëtimin tonë politik është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë ai për Front Online.
Duke përmendur dallimet në mes të këtyre dy partive, Tahiri theksoi se ndryshe nga VV-ja, PDK-ja është parti shtetformuese.
“Unë e kam thënë edhe më herët që personalisht e shoh si pothuajse të pamundur çfarëdo bashkëpunimi në mes të LVV-së dhe PDK-së, sepse kemi jashtëzakonisht shumë dallime të mëdha në agjendat tona politike dhe në përcaktimet tona. PDK-ja është parti shtetformuese, është parti e cila ka pasur rolin kyç në shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, prandaj e shoh si shumë të vështirë një bashkëpunim të tillë. Unë nuk dua që të paragjykojë tani, dua t`ia lë kohës”, ka thënë ndër të tjera.
Deputeti i PDK-së i numëron dështimet e qeverisë “Kurti”
Për më shumë se 100 ditë, Albin Kurti udhëhoqi me ekzekutivin e vendit. Por me punën e tij nuk janë të kënaqur të gjithë. Sipas Abelard Tahirit, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kjo udhëheqësi nuk kishte as agjendë qeveritare dhe as program qeveritar.
“LVV-ja dhe Qeveri që është ndërtuar nga LVV-ja në radhë të parë u pa që u ndërtua një qeveri e cila nuk kishte një agjendë qeveritare, një program qeveritar dhe një udhërrëfyes se si do ta drejtonte vendin, të paktën në vitin e parë qeverisës. Pra kishim një qeverisje ad hoc dhe nuk kishim një Qeveri e cila e kishte të bazuar aktivitetin dhe angazhimin e tyre në një plan konkret”, ka thënë Tahiri në një intervistë për Front Online.
Kështu, Tahiri theksoi se gjatë kësaj Qeverie, para deputetëve nuk është prezantuar as edhe ndonjë iniciativë ligjore, përveç Ligjit për Buxhetin.
“Gjatë kësaj qeverisje pothuajse tremujore ose pak më shumë, ne nuk e kemi pasur rastin që të shqyrtojmë asnjë iniciativë ligjore të ardhur nga deputetë ose nga qeveria e LVV-së. Pra qeveria e parë që nuk e ka sjell as edhe një projekt, apo ligj të vetëm për ta trajtuar në Kuvendin e Kosovës. Përveç Ligjit për Buxhetin, asnjë iniciativë tjetër nuk ka ardhur nga kjo Lëvizje”, ka thënë deputeti i PDK-së, për Front Online.
“Vjedhjet e Qeverisë “Kurti” gjatë pandemisë”
Deputeti ka folur edhe për siç tha ai, vjedhjet në kohën e pandemisë Covid-19, nga qeveria e kaluar.
“Ka pasur vjedhje gjatë kohës së pandemisë dhe keqpërdorim të buxhetit të qytetarëve, keqpërdorimi i taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Besoj që tashmë janë duke u trajtuar edhe nga ana e organit të akuzës, nga Prokuroria Speciale”, ka thënë ai.
Tahiri nuk la pa i përmendur edhe mosftesat e ish-kryeministrit Albin Kurti, në takime ndërkombëtare, duke e cilësuar edhe këtë si dështim të tij. Madje ai tha se Kurti ka degraduar politikën e jashtme të Kosovës.
“Pra të metat dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit nga kjo Qeveri kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Poashtu edhe në rrafshin ndërkombëtarë ne kemi parë një degradim të vazhdueshëm të kryeministrit dhe të kësaj Qeveria nga dëmtimi jashtëzakonisht imadh i relacioneve me SHBA-të. Në anën tjetër ka qenë kryeministri i vetëm që është përjashtuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë nga konferenca e Zagrebit që është mbajtur para një muaji”, ka thënë ai.
Ish-ministri i Drejtësisë i dëshpëruar me punën e Albulena Haxhiut
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk është ndarë i kënaqur me punën e pasueses së tij në këtë ministri, Albulena Haxhiu. Ai ka theksuar se nga Haxhiu ka pritur më shumë angazhim dhe interesim.
“Kam qenë i dëshpëruar se si realisht as dokumentet që i kam lënë të përfunduara siç ka qenë Kodi Civil, ose Kodi i Procedurës Penale nuk arriti me i sjellë në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër dëshpërim ka qenë edhe procesi i vetingut. Nga një angazhim i tyre jashtëzakonisht i madh në opinion publik gjatë kohës sa ishin në opozitë për vetingun, erdhën në Qeveri dhe gjithë çfarë pamë për vetinguin ishte kërkesa që i`u bë një grupi të shoqërisë civile që t`ua hartojnë idenë se cila do të jetë mënyra që Kosova do ta bëj vetingun”, ka thënë Tahiri gjatë një intervistë për Front Online.
E për mos përfundimin e vetingut, Tahiri tha se me gjasë Kurti dhe Haxhiu për këtë proces kanë dëgjuar vetëm në televizion, raporton Front Online.
“Pra në atë kohë z.Haxhiu dhe ekipi i saj do të duhej që ta kishin idenë e tabluar dhe të krijojnë grupe punuese për hartimin e bazës ligjore dhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në këtë vend për fillimin e procesit të vetingut. Pra nga ajo çfarë kemi parë si nga z.Kurti ashtu edhe nga z.Haxhiu që për vetingun më shumë se sa që kanë dëgjuar në televizion dhe në rastin e Shqipërisë, nuk kanë ide se çfarë është dhe se si duhet të procedohet”, ka thënë tutje ai.
Tahiri: Të dhënat e mbi 1 milion konsumatorëve mund të jenë në duart e VV-së
Jehonë në vend bënë edhe deklaratat ePresidentit të vendit, Hashim Thaçi, për vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendëskryeministrit Haki Abazi në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.
Për deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, një vizitë e tillë është mjaft shqetësuese.
“Është shqetësuese që një ministër i Brendshëm të ketë prezencë të vazhdueshme në Telekomin e Kosovës, në zyrat ku janë të insitaluara instrumentet të cilat në mënyrë të autorizuar mund të kryejnë përgjime. Normalisht me urdhër të gjyqtarit dhe me kërkesë të prokurorit. Një ministër nuk duhet ta ketë në asnjë rrethanë vendin aty dhe të shkojë që t`i vizitojë. Askush tjetër përpos personave të autorizuar, dhe as deputet e ministër”, ka thënë Tahiri për Front Online.
Sipas tij, të dhënat e mbi 1 milion konsumatorëve të Telekomit, mund të jenë në duart e VV-së.
“ Ajo çfarë ka dal në shesh në këtë periudhë dhe që është konfirmuar edhe nga ish-kryeshefi i Telekomit që ministri i Punëve të Brendshme e ka bërë një vizitë, është jashtëzakonisht shumë shqetësuese, sepse në fund aty janë të dhënat e mbi 1 milion konsumatorëve sa edhe duhet t`i ketë Vala dhe Telekomi i Kosovës dhe qasja në ato informata qofshin edhe të dhëna personale të qytetarëve është shumë e dëmshme”, ka thënë tutje Tahiri për Front Online.
Ndërsa lidhur me deklaratat se Haki Abazi sa ishte zëvendëskryeministër zhvilloi takime edhe në Kopaonik, Tahiri tha se llojet e këtyre vizitave duhet që të hetohen nga organet e drejtësisë.
“Unë nuk jam as prokurorë dhe as hetues dhe presidenti normalisht që shërbehet nga institucionet në këtë rast edhe nga ato të sigurisë siç është AKI-ja dhe institucionet e tjera , të cilat e furnizojnë me informacione presidentin e Kosovës dhe unë si deputet nuk kam qasje në informata të tilla. Prandaj mendoj që vizitat e tilla duhet të hetohen nga institucionet e tona se cili ka qenë qëllimi i vizitës së një zëvendëskryeministri në Kopaonik”, ka thënë ai për Front Online.
Tahiri: Qeveria “Hoti”, e pazareve politike
Lidhur me formimin e qeverisë “Hoti”, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri në një intervistë për Front Online, ka thënë se është një Qeveri e formuar mbi bazën e pazareve mes kryetarëve të partive politike në vend.
“Kjo është një Qeveri e cila është ndërtuar mbi bazën e pazareve në mes të kryetarëve të partive politike që e kanë ndërtuar këtë koalicion. Pra se sa parimor janë LDK-ja dhe z.Hoti, janë treguar edhe në këtë periudhë e që deri dje, partitë të cilat i kanë quajtur zhvatës të shtetit, të korruptuar, të degraduar, njerëz të cilët i kanë goditur dhe i kanë quajtur në vazhdimësi si njerëz që e kanë kapur shtetin, si u bë që sot brenda një periudhe as gjshtëmujore po të njëjtit i kthejnë në partnerë të tyre”, ka thënë ai për Front Online.
Për deputetin e PDK-së, kjo Qeveri nuk pritet që t`i përmbushë nevojat e qytetarëve. Sipas tij, Qjo qeveri do të ketë sfida të mëdha postpandemike.
“Nuk mund të pres një qeverisje e cila do t`i përmbush nevojat tona e aq më shumë që tash është rënduar edhe më shumë situata jonë e veçanërisht më shumë situata jonë ekonomike, që lidhet me dëmet që i ka pësuar ekonomia jonë gjatë pandemisë. Pra do të jetë një qeveri e cila do të jetë jashtëzakonisht shumë e dobët në trajtimin e agjendave siç është edhe çështja e pandemisë, ndihmës ndaj biznesit dhe e zhvillimit ekonomik. Edhe çështja e arsimit e që tashmë duket që kemi pësuar një ngecje jashtëzakonisht të madhe në pamundësinë e nxënësve që ta vijojnë mësimin pra në kushte normale siç ka qenë përpara”, ka thënë tutje ai, për Front Online.
PDK: Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje pa shkëmbim territoresh
Se ka ardhur koha për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, po thonë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një intervistë për Front Online, ka thënë se dy shtetet duhet të arrijnë marrëveshje për t`i hapur rrugë njëra-tjetrës, në arenën ndërkombëtare.
“Tashmë kemi ardhur në një periudhë kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë në një marrëveshje finale, përfundimtare që do t`i hapte Kosovës rrugën që të anëtarësohet në OKB dhe në instanca tjera të BE-së, si dhe në NATO. Në anën tjetër do t`i hapte rrugë edhe Serbisë që nuk do të ishte peng i agjendës së Kosovës në orientimet e saj drejt BE-së”, ka thënë Tahiri për Front Online.
Megjithatë Tahiri, për Front Online ka thënë se nga PDK-ja, nuk do të pranohet asnjë marrëveshje e cila do ta cenojë sovranitetin dhe territorin e Kosovës.
“PDK-ja nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila e cenon territorin tonë, sovranitetin tonë, e cila është e dëmshme për Kosovën. Pra, ne do të angazhohemi fuqishëm që çfarëdo marrëveshje që do të vie në Kuvendin e Kosovës, të jetë një marrëveshje e favorshme dhe të jetë marrëveshje që do t`i duartrokasin të gjithë qytetarët e Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të sillen dhe të votohen marrëveshjet të cilat do të jenë të dëmshme për vendin tonë”, ka thënë ai për Front Online.
Tahiri: PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, Veseli do të jetë Kryeministër
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë që pas 12 muajve do të mbahen zgjedhjet e reja në vend. Për Abelard Tahirin nga kjo parti, fitues i këtyre zgjedhjeve do të jetë PDK-ja. Madje ai në një intervistë për Front Online, deklaroi se Kadri Veseli do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
“Jam i bindur që do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në zgjedhjet e ardhshme, e që besojmë që do të mbahen shumë shpejtë, do ta nxjerrin PDK-në, parti fituese dhe do të jetë Z.Veseli ai që pas kësaj Qeverie do ta drejtojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, me një agjendë zhvillimore, me një agjendë ku kërkesa e qytetarëve dhe nevojat tona përputhen shumë me agjendën e Z.Veseli”, ka thënë ai për Front Online.
Tahiri poashtu përjashtoi çdo mundësi për koalicion parazgjedhor të PDK-së, në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne në zgjedhje normaliasht që do të shkojmë të vetëm, siç kemi shkuar edhe në zgjedhjet e kaluara, pra në zgjedhjet e 6 tetorit. E përjashtojë çfarëdo bashkëpunimi parazgjedhor, sepse nuk mund të ketë, mirëpo pas zgjedhjeve do të shohim. Fillimisht është e rëndësishme që PDK-ja, t`i fitojë këto zgjedhje, pastaj do të përcaktohet për aleantin e vet për qeverisje katërvjeçare”, ka thënë Tahiri.
/Front Online/