
Qendra Vetëvendosje në Shqipëri ka bërë një tjetër reagim kundër aktit të qeverisë për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
“Gjatë gjithë ditës së diel, e cila filloi me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar para se të agonte, ka patur shprehje të indinjatës e protestës qytetare. Anëtarë të kolektivëve e organizatave të ndryshme, qytetarë, njerëz të kulturës, të medias e të politikës kanë protestuar kundër aktit tinzar e barbar nga pushteti i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, që natën e në mes të pandemisë vepruan me arbitraritet duke rrënuar një monument kulture, pjesë të trashëgimisë së Shqipërisë e të Evropës, pjesë të pashlyeshme të kujtesës së banorëve të Tiranës e cila po shpërfytyrohet nga pangopshmëria e pushtetit dhe e oligarkëve të ndërtimit” – thuhet në reagim.
Më pas vihet theksi të ndalimet dhe arrestimet nga policia.
“Dhjetëra protestues janë arrestuar, një pjesë e tyre janë liruar më vonë, por disa ende po mbahen. Një pjesë e policëve të nxjerrë kundër protestuesve, nuk kanë pasur numër të dukshëm identifikimi apo emër. Ende policia nuk po e njofton publikun për emrat e të ndaluarve dhe vendet ku ata po mbahen.
Sipas informacionit që kemi, po mbahet ende në ndalim edhe drejtori i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi. Aktivisti Boiken Abazi, na treguan se do të mbahet 72 orë, pra në afatin maksimal të ndalimit, me urdhër nga strukturat e larta drejtuese të policisë. Ne besojmë se origjina e urdhrit është edhe më lart, në strukturat e pushtetit politik që drejton qeverinë” – thuhet në deklaratë.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin sa më shpejt të protestuesve të ndaluar dhe do të vazhdojmë ta dënojmë formën e fortë autoritare që ka marrë pushteti në Shqipëri, i cili sot e trajtoi demokracinë me shkelmat e policisë ndaj qytetarëve dhe me ndalimet e mbajtjet e porositura të aktivistëve të caktuar në ambientet e paraburgimit.
Bashkimi i shumë organizatave e qytetarëve në protestat e sotme e në muajt e vitet e shkuar në mbrojtje të Teatrit, flet për një kulturë të re politike, të cilës i trembet politika shterpë e regjimit të Ramës. Ata mendojnë se sot prishën teatrin e kombit. Por në fakt veç kanë sharruar përfundimisht skenën e teatrit të marionetave, që është e gjithë politika e tyre” – thuhet në deklaratë.