
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të shtunën se qeveria e tij do të kërkojë që gjendja emergjente të zgjatet për herë të fundit deri në fund të qershorit. Megjithatë, me këtë plan nuk janë të kënaqur shumë qytetarë, që dolën në rrugë për të protestuar.
“Rruga që ne do ta marrim është e vetmja e mundshme”, tha kryeministri Sanchez gjatë një konference për gazetarë, duke shtuar se do të kërkojë nga kuvendi që gjendja emergjente të shtyhet edhe për një muaj deri në fund të qershorit, kur shumica e vendit pritet të kthehet në gjendje normale.
Spanja e shpalli gjendjen emergjente për herë të parë më 14 mars, ndërsa prej asaj kohe afati i saj është zgjatur disa herë nga dy javë. Ndonëse zyrtarët thonë se pandemia është mbajtur nën kontroll, ata besojnë se kufizimet duhet të qëndrojnë në fuqi edhe pak më gjatë gjatë fazës së lehtësimit të masave.
Të shtunën, në Spanjë u shënuan 102 të vdekur nga sëmundja Covid-19. Kjo ishte shifra ditorë më e ulët që nga 18 marsi, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express. Numri i të infektuarve ka shkuar në 230,698.
Megjithatë, shumë qytetarë nuk janë të kënaqur me masat që qeveria po synon t’i marrë. Disa prej tyre kërkuan që ekzekutivi madje të japë dorëheqje. “Unë jam kundër të gjitha masave që kjo qeveri i ka përdorur për ta menaxhuar koronavirusin”, tha Jose Flores, një nga protestuesit që punon në bankë.