
Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, ka thënë se në Kosovë në skenën politike janë dy pole që kanë shkaktuar probleme në procesin e dialogut me Serbinë.Ai ka thënë se në njërën anë është presidenti Hashim Thaçi që ka tentuar të sillet si “kampion” e në tjetrën anë janë Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që “shprehën mosgatishmëri për të marrë përgjegjësi”.Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur nga viti 2013. Ai ka thënë se më 2018, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini hyri në rrugë të ndryshimit të kufijve dhe “në këtë moment ka ardhur deri te humbja e busullës në raport me Brukselin dhe politikën brenda saj”.
“Vlerësimi im është që këtu ka lidhje mes disa faktorëve. Mos të harrohet që bashkësia ndërkombëtare është e lodhur me Ballkanin. Po merren me ne që 30 vjet. Mos të harrojmë. Edhe 10-15 vjet nevojiten. Aq sa janë marrë me luftën e ftohtë, aq po merren me Ballkanin. Elementi tjetër është se Mogherini ka dashur që fundi i fundit të vërë flamurin e fitores dhe për konsekuencat e marrëveshjes ajo s’do të lodhej”, ka thënë ai.Peci ka thënë se ideja e ndryshimit të kufijve është ndalur vetëm nga Gjermania.“Problemi është që Gjermania u vu kundër këtij pozicioni dhe mendoj se ishte ajo që ndali ndarjen. Më 2018-19, ndali tendencat rreth ndarjes së Kosovës. Mos të harrojmë kemi faktorë që kanë qejf t’ia qesin vetes meritat për mosndarje, populli e politika kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm, por të dimë që nëse s’do të ishte kundërshtimi gjerman kjo do të merrte përkrahje më të madhe ndërkombëtare e do të vinim në pozicion më të vështirë. Ne tash po përballemi me të njëjtën situatë”.
“Në Kosovë asnjë parti politike mos të ëndërrojë që mund të ndalë ndarjen si e vetme. Vetëm të bashkuar mundemi. Sepse askush me zor s’mund të na detyrojë të pranojmë diçka të papranueshme. Nuk mundet askush i vetëm. Mundemi vetëm me konsensus politik t’i mbrojmë interesat tona. Në Kosovë kemi tendencë të gabueshme në raport me interesat e Kosovës sepse çohet një parti e i formulon interesat e shtetit kokë më vete. Ato s’i formulon një parti, qoftë në qeveri, qoftë opozitë”, ka deklaruar tutje Peci.Sipas tij, një ndryshim kufijsh do të shkatërronte shtetësinë e Kosovës. Ai ka thënë se efekti do të ishte i menjëhershëm edhe në rajon.“Do ta shkatërronte edhe si rregullim të brendshëm shtetëror, por edhe në raport me resurset ekonomike e natyrore. Do të shkatërronim vetveten. Kjo do të ishte zgjidhje fatale për shtetësinë. Nëse e pranojmë, atëherë po heqim dorë nga 17 shkurti, rregullimi jonë shtetërorë. Shtetet na kanë njohur në këto kufij. Në aspektin regjional do të ketë efekte të menjëhershme në Bosnje, por edhe ndoshta më të vogla në Maqedoni. Nuk e di me mend në kokë si një ide e tillë përkrahet nga qarqe të ndryshme në BE, që është projekt që i shkon më së shumti në favor politikës ruse”, ka thënë ai.Peci ka thënë se Kosova është në një moment delikat në procesin e dialogut.“Ne si Kosovë jemi në një moment shumë delikat. Edhe në këtë moment delikat, nëse secila parti tenton të bëjë atë që quhet kampione e të tentojë të tjerët t’i vërë në rend të dytë në raport me negociatat, ne nuk do të kalojmë mirë. Kemi dy probleme, dikush tenton të bëhet kampion e dikush refuzon të jetë pjesë e procesit negociator. Këto dy pole janë më të rrezikshmet në raportin e mëtutjeshëm me Brukselin, SHBA-në e negociatat me Serbinë. Sa i përket punës se kush e ka sjell ndarjen në tavolinë, dihet që e ka sjell presidenti Thaçi. Ai e ka negociuar, së paku ka lejuar të hapet tema në prezencën e tillë. Sa është diskutuar e ku ka arritur nuk e di, por që është diskutuar dihet”.“Kur tenton dikush të bëhet kampion pa marrë aprovimin e të tjerëve që të diskutohen opsione të tilla, kjo na ka sjell këtu. Kemi punën tjetër, kur palët tjera s’pranojnë e s’kanë pranuar të jenë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Edhe unë mendoj që edhe ato janë njëjtë të dëmshme. Për të qenë pjesë dhe për të pas sukses, kërcënimet se nëse arrihet marrëveshje do të bëjmë kështu e do të kallim Kosovën, për mua janë shprehje e mosgatishmërisë për të marrë përgjegjësi politike. Te ne është krijuar zhargoni që kush merr pushtetin udhëheq dialogun. Konkretisht kemi të bëjmë me Vetëvendosjen, por edhe Aleancën në raport me bisedimet. Aleanca ishte konstruktive deri kur e kishte Blerim Shalën përfaqësues”, ka thënë tutje Peci.