
Me 15 mars të këtij viti ishte e paraparë që të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune, mirëpo, pas përhapjes së Coronavirusit në Kosovë, u pamundësua ky proces.
E për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve nuk është caktuar ndonjë datë e re, teksa komuna tanimë është në duart e nënkryetarit Nexhmi Rudari.
Për Front Online foli kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i cili ka kërkuar mosvonim të procesit. Sipas tij kushtet për t`u mbajtur këto zgjedhje janë krijuar.
“Tani për tani Podujeva shquhet prej komunave që ka numrin shumë të vogël të të infektuarve dhe ata me sa kam informacion janë të shëruar të gjithë. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të paraqitur në komunën tonë, dhe aktualisht nuk shoh asnjë arsye shumë të madhe që të shtyhet edhe më tutje ky proces dhe unë besoj që pasi janë krijuar këto kushte, do të ishte mirë që nga ana e presidentit të vendit që sa më parë të hapet rrugë dhe të vazhdohet aty ku ka mbetur ky proces”, ka thënë ai.
LVV-ja kërkon të rishpallen zgjedhjet në Podujevë, LDK-ja dhe PDK-ja të gatshëm për garë
E për sa i përket gatishmërisë për të marrë pjesë në këto zgjedhje, Bulliqi ka theksuar se vetëm po presin krijimin e kushteve të përshtatshme dhe shpalljen e zgjedhjeve.
“Po mos të kishim qenë të gatshëm nuk do t`i kishim hyrë kësaj gare. Ne po presim që të krijohen kushtet e përshtatshme dhe normal të hapet rruga për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor dhe sigurisht që ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të gatshëm që të fillojmë këtë proces”, ka thënë ai për “Front Online”.
Front Online ka provuar gjatë ditës që të marrë një përgjigje edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me mundësinë e rishpalljes së zgjedhjeve në Podujevë, por kontakti me ta ka qenë i pamundur./Front Online/