
Pas konfirmimit të mbrëmshëm nga IKShPK për rastin e parë pozitiv me virusin COVID-19 nw Mitrovicwn e Jugut, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhje me shtabin emergjent të Komunës, me ç’rast janë koordinuar për marrjen e masave shtesë në parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
Fillimisht në këtë mbledhje u potencua se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave, kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKShPK-ja, dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme.
Përveç mbylljes së përkohshme të ETC- së deri në verifikimin e të gjitha rasteve të kontaktit, kryetari Bahtiri ka propozuar edhe masa shtesë për të gjitha supermarketet që veprojnë në Mitrovicë, në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur më shumë nga ky virus;
Të gjitha këto masa të propozuara nga Bahtiri janë përkrahur unanimisht nga të gjithë anëtarët e shtabit emergjent komunal, duke bërë të ditur se ato biznese të cilat nuk respektojnë këto rekomandime nga vendimi i shtabit emergjent të Mitrovicës, do të rrezikojnë me mbylljen e biznesit të tyre, dhe për personat të cilët nuk zbatojnë rekomandimet nga institucionet lokale dhe ato qendrore, nga organet e rendit do t’u ngritet vepër penale.
Në fund Bahtiri dhe anëtarët e shtabit emergjent u bëjnë apel të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të jenë të kujdesshëm, t’i përmbahen të gjitha masave mbrojtëse dhe rekomandimeve nga IKShPK dhe institucionet tjera gjegjëse, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i evitojnë daljet pa nevojë.