
Në komunën e Vitisë për herë të parë u shfaq Coronavirusi.
Por, në këtë komunë tani gjendja e pacientëve të infektuar me këtë virus është stabile.
Rreth gjendjes së pacientëve për portalin “Front Online” foli zëdhënësi i shtabit emergjent për Covid-19 në Viti, Tefik Salihu.
Ai tha se nga të gjithë të infektuarit, shtatë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.
“Aktualisht në Komunën e Vitisë janë diagnostikuar 45 persona me grip. Shtatë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Prishtinë. Ata po përmirësohen gradualisht. Të tjerët janë në shtëpi të vetizoluar. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, deklaroi ai.
Salihu tha se janë testuar edhe disa pacientë, por që nuk kanë dalur pozitiv.
“Mbrëmë janë testuar 15 pacientë nga Komuna e Vitisë që janë në hemodializë, por të gjithë kanë rezultuar negativ”, u shpreh ai.
Salihu tregoi se dje janë ritestuar dy pacientë të hospitalizuar, por ata kanë dalur pozitiv./Front Online/