Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë kanë pranuar një donacion nga kompania “Sezin” nga Turqia, me ndihmën e Ambasadës së Turqisë në Kosovë.
Donacioni përbëhet nga njëqind mijë maska, rreth tre mijë mbrojtëse të plastifikuara dhe materiale tjera.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Yildiray Bajram, i cili e bëri pranimin e këtij donacioni, në emër të MPB-së falënderoi kompaninë “Sezin” dhe Murat Atlihan për donacionin.
Ai në veçanti falënderoi njërin nga menaxherët e kompanisë “Sezin”, Sinan Jëldëz, me prejardhje nga Kosova, pasi që iniciativa për këtë donacion kishte rrjedhë nga ai.
“Kjo edhe njëherë e vë në pah rëndësinë dhe punën që mërgata dhe bashkatdhetarët tanë e zhvillojnë në ndihmë për Kosovën, popullin dhe institucionet e saj në luftën kundër pandemisë”, tha Bajram.
Donacioni i pranuar do t’i shërbejë dhe ndihmojë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe agjencive të ndërlidhura me ministri në kryerjen sa më të mirë të detyrave dhe obligimeve të përditshme.