×
  • Sport
  • Sport

    ​Ministrja e Kulturës tregon se a do të ndërtohet stadiumi kombëtar këtë vit

    FrontOnline
    29 Shtator 2020

    Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi deklaroi sot se ndërtimi i stadiumit kombëtar është një projekt i kushtueshëm dhe se duhet të shihet një zgjidhje nëse do të ndërtohet në këtë fazë apo të të shihet si mundësi e një partneriteti publiko-privat.

    Dumoshi gjatë raportimit në Komisionin për Arsim ka bërë të ditur se deri në muajin nëntor do të përfundojnë gjashtë projektligjet e parapara nga ministria që ajo drejton. Ndërsa, sa i përket Ligjit për Trashëgimi Kulturore tha se janë në përfundim të hartimit dhe së shpejti do ta procedojnë në Kuvend për miratim.

    “Ne e kemi projektin e fizibilitetit, i cili ka përfunduar, tash do të bëhet edhe një komision, i cili do ta rishikojë komplet edhe një herë projektin. Projekti është shumë i kushtueshëm. Ne e dimë që këtë vit, siç e potencova, deri në muajin gusht nuk kemi mund të nisim asnjë procedurë të aktivitetit të prokurimit. Pothuajse është vit i humbur për investimet kapitale. Aty parashihet diku 70 milionë deri në 100 milionë për t’u kryer stadiumi. Besoj që duhet bërë një zgjidhje, se a ka Republika e Kosovës një buxhet të tillë për ndërtimin e këtij stadiumi në këtë fazë, apo duhet të shihet edhe partneriteti publiko-privat”, tha Dumoshi.

    Nënkryetari i komisionit Jahja Kokaj tha se është me rëndësi të dihet se çfarë po ndodh me Burgun e Prishtinës, i cili është paraparë të shndërrohet në Muze, dhe projektin e çarshi-xhamisë, e cila tash e sa vjet ka mbetur në harresë.

    “Çka po ndodh me projektin e çarshi-xhamisë, tash gati një dekadë kjo ndërtesë e rëndësishme e trashëgimisë është lënë në harresë. MKRS ka nënshkruar marrëveshje për restaurimin e ndërtesës së xhamisë së çarshisë, por ende asnjë hap nuk është ndërmarrë edhe pse kanë kaluar dy vjet prej nënshkrimit të marrëveshjes. Kjo ndërtesë ka filluar të restaurohet në vitin 2011, por punimet janë ndërprerë për shkak të gjendjes në gjykata për keqpërdorimin e fondeve të projektit, kur Vlora ka qenë drejtoreshë e Kulturës në komunë”, ka thënë ai.

    Ministrja Vlora Dumoshi tha se këto projekte janë shumë domethënëse për trashëgiminë kulturore.

    “Komuna e Prishtinës, siç e dini nuk ka ekspertë të këtij lëmi, por ne kemi qenë vetëm financues të këtij projekti. Mbikëqyrjen e kanë bërë institucionet gjegjëse, ato që kanë qenë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në këtë projekt nuk ka pasur keqpërdorime, është hapur një rast. Me ardhjen e qeverisë së re të Shpend Ahmetit janë hapur 70 dosje për Isa Mustafën, por të gjitha kanë rezultuar që asnjë lëndë nuk është bërë ndonjë gjetje që është proceduar me ndonjë akuzë. Unë me siguri e them që aty kanë mbetur punime vetëm edhe për 20 mijë euro. Edhe është për keqardhje që komuna e Prishtinës nuk ka mund ta përfundojë këtë projekt”, u shpreh ajo.

    Sa i përket burgut të Prishtinës, i paraparë të kthehet në muze, Dumoshi tha se Qeveria e Kosovës këtë vit ka marrë vendimin për themelimin e muzeut të Prishtinës.

    Sipas saj, muzetë nuk mund të bëhen për një apo gjashtë muaj. Ajo bëri të ditur që MKRS e ka buxhetin, por paraprakisht nevojitet një studim i mirëfilltë.

    E anëtarja e Komisionit, Teuta Haxhiu tha se është me rëndësi të dihet se ku është Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe sa është punuar në këtë aspekt.

    “Ne i kemi gjashtë ligje të një rëndësie, kemi edhe Projektligjin për Trashëgimi Kulturore. Ne jemi duke punuar dhe jemi në fazën përfundimtare. Deri në nëntor duhet të dorëzojmë gjashtë ligjet e parapara në programin e ministrisë. Besoj që do ta përmbushim komplet projektligjet që t’i dorëzojmë në qeveri dhe të procedohen në parlament. Uroj që ju si deputetë të jepni rëndësinë edhe komentet e juaja për kalimin e Projektligjit të Trashëgimisë”, u shpreh Dumoshi.

    Dumoshi theksoi se duhet të rishikohet lista e përhershme dhe e përkohshme e shumë aseteve, meqë sipas saj ka prej tyre që nuk e meritojnë të jenë pjesë e listës së përkohshme. Deri në fund të këtij muaji, ajo tha se duhet të formohet komisioni dhe të rishikohen ato për nga rëndësia.

    Deputeti i partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka tha se me rishikim të buxhetit është bërë “sakatim i buxhetit” në linja të rëndësishme.

    “Në programin tuaj qeverisës keni vetëm tre paragrafë për të rinj. Objektiva shumë të mjegullta, keni folur për skemë për mbështetje për punësim, për ndihmë për banim, mbështetje të qendrave për inovacion që nuk e kam të qartë se ku është baza e tyre dhe mënyra se si do i realizoni. Në vitin 2015-2016 ekziston një raport i UNDP-së që mbi 70 për qind e të rinjve dëshirojnë të largohen prej Kosovës për shkak të mungesës së perspektives, statusit të mirëfilltë socio-ekonomik dhe kualitetit të dobët të arsimit. Dihen kush kanë qenë qeveritë e kaluara, dihen përgjegjësitë, por është e çuditshme që nuk shohim një plan konkret për adresimin e çështjeve të tilla”, tha Uka.

    Për këtë ministrja Dumoshi tha se në mesin e gjashtë projektligjeve që do të dorëzohen gjatë muajit nëntor, është edhe ai për të rinjtë, dhe se janë duke punuar në këtë aspekt edhe për njohjen e vullnetarizmit si punë.

    Dumoshi, ndër tjera ngriti shqetësimin se për 20 vjet nuk është përfunduar asnjë objekt i kulturës, dhe se ende nuk ka sallë për koncerte.

    Nga Rubrika
    Sport21 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Kosovës në Basketboll ka regjistruar humbje të rëndë sonte ndaj Zvicrës. ‘Dardanët’ janë mposhtur nga kombëtarja helvete me rezultat 75-43....
    Sport21 Nëntor 2024
    Pas dëmtimit të rëndë të Dani Carvajal, i cili do të mungojë deri në fund të këtij sezoni, Los Blancos besohej se...
    Sport21 Nëntor 2024
    Thashethemeve të shumta rreth të ardhmes së Pep Guardiolës i erdhi fundi. Tashmë edhe zyrtarisht, spanjolli do të vazhdojë me klubin nga...
    Të tjera
    Sport21 Nëntor 2024
    Pas dëmtimit të rëndë të Dani Carvajal, i cili do të mungojë deri në fund të këtij sezoni, Los Blancos besohej se...
    Vip21 Nëntor 2024
    Edi ka shprehur vetëbesim të plotë për veten e tij sidomos në raport me femrat. Ai e bëri veten shumë superior krahas...
    Lajme21 Nëntor 2024
    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Poloni, ka vijuar me një takim të përbashkët me deputetë të Parlamentit të Polonisë, anëtarë të...
    Lajme21 Nëntor 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, mori pjesë në eventin e organizuar nga Ambasada e Francës. Haradinaj tha se...
    Lajme21 Nëntor 2024
    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, deklaron se buxheti i miratuar sot për vitin 2025 është bërë pa marrë parasysh amendamentet e opozitës....
    Sport21 Nëntor 2024
    Thashethemeve të shumta rreth të ardhmes së Pep Guardiolës i erdhi fundi. Tashmë edhe zyrtarisht, spanjolli do të vazhdojë me klubin nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.