Në kuadër të përkrahjes dhe subvencionimit në fushën e bujqësisë, Komuna e Malishevës sot ka shpërndarë 42 motokultivatorë për bujqit, të cilët kanë aplikuar për përkrahje me mekanizëm bujqësorë, përkatësisht motokultivatorë.
Në fillimin e shpërndarjes së motokultivatorëve për 42 bujq të Komunës së Malishevës, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori për Bujqësi, Murat Hoxha.
“Uroj t’i gëzoni dhe t’i shfrytëzoni sa më shumë dhe sa më mirë, të gjithë ju që këtë vit jeni përfitues të këtyre motokultivatorëve. Ky nuk do të jetë i vetmi subvencion apo e vetmja përkrahje, por ne do të vazhdojmë me përkrahjen e sektorit të bujqësisë, pasi bujqësia është prioritet për ne”, ka thënë kryetari Begaj, me rastin e shpërndarjes së motokultivatorëve.
Drejtori për Bujqësi, Murat Hoxha, ka bërë të ditur, se krahas motokultivatorëve, drejtoria ka bërë shpallje edhe për subvencionim në serra si dhe për përkrahje të bletarëve lokal, me qëllim që të ndihmohen dhe të përkrahen bujqit dhe fermerët e Komunës së Malishevës.