Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Qeverinë e Shqipërisë, Besa Shahini ka zhvilluar një takim me homologun e saj, ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, Ramë Likaj.
Takimi u zhvillua në Prishtinë, ku të dy ministrat kanë biseduar mbi bashkëpunimin e deritanishëm në arsim mes Shqipërisë e Kosovës dhe thellimin e mëtejshëm të tij.
Në postimin e saj në “facebook”, ministrja Shahini nënvizon se “për shkak të kushteve të pandemisë në të cilën gjendemi, u dakorduam gjithashtu për harmonizimin e planeve të veprimit drejt fillimit të vitit të ri shkollor”.
“Na pret një vit i vështirë shkollor, por në bashkëveprim të ngushtë me miqtë e partnerët do t’ia dalim më së miri në mënyrë që mësimi të zhvillohet sa më cilësisht dhe pa krijuar boshlleqe tek nxënësit tanë”, shprehet ndër të tjera Shahini.