×
  • Opinione
  • Opinione

    Zëdhënësi i përjetshëm i luftës

    Faik Krasniqi
    04 Prill 2023

    Lufta po shtrihej gjithandej Kosovës dhe tanimë ishte e njohur, si për opinionin vendor, ashtu edhe për atë ndërkombëtar, se qindra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, u kishte sosur durimi dhe kishin kapur armët, për t’ia kthyer ato armikut.

    Po afrohej mesi i vitit 1998 dhe pavarësisht figurave të luftëtarëve që lufta po i nxirrte në pah nëpër lokalitete të ndryshme, drejtuesit kryesorë të saj ende nuk ishin të njohur për publikun.

    Paralajmërimi se UÇK-ja tani do të fliste nëpërmjet zëdhënësit të saj, përbënte jo vetëm lajmin e ditës, por një moment kthese në luftën çlirimtare dhe rrjedhën e saj. Në ekranin e televizorit u shfaq një mesoburrë, me uniformë ushtarake, me stemën e UÇK-së në krah e në kapelë, me dy luftëtarë të armatosur prapa, me flamurin kombëtar dhe figurën e Skënderbeut në prapavijë. S’kish si të mos ishte emocionale kjo pamje për mua, e cila do të më kthente dekada pas, në Shkollën Normale në Prishtinë… * Me Jakup Krasniqin ishim shokë klase.

    Të dy, si shumica e shokëve e shoqeve, vinim nga fshati, por nga lokalitete të ndryshme të Kosovës. Si nxënës i vitit/klasës së parë, Jakupi shpejt e kaloi ndrojtjen e të qenit djalë fshati dhe filloi të mbizotëronte në klasë. Këtë status ai e fitoi me inteligjencën e lartë dhe përgatitjen e përhershme që kishte. Kur ne ngecnim në ndonjë përgjigje para profesorëve, ishte ai që jepte përgjigjen e saktë dhe na nxirrte nga situata.

    Kur diplomuam, të rritur e më të pjekur, asnjëri nga ne nuk ishte i kënaqur me pozitën politike dhe nivelin e zhvillimit ekonomik që Kosova kishte në Jugosllavinë e Titos. Andaj, të gjithë kishim qëllime për t’u angazhuar për ndryshime shoqërore e të statusit kombëtar të shqiptarëve. Por, nga mesi ynë, u dalluan Jakup Krasniqi e Gani Sylaj, veprimtaria atdhetare e të cilëve kaloi në përmasa kombëtare. * Jo rastësisht ishte zgjedhur Jakup Krasniqi për të përçuar anekënd globit zërin e luftës çlirimtare.

    UÇK-ja nuk mund të fliste me tjetër zë, përveç me atë të normalistit të zellshëm të Prishtinës, të mësuesit e historianit, të veprimtarit të lëvizjes klandestine e të burgosurit politik, burrit të brumosur me parimet më të larta morale të luftëtarit çlirimtar e të pasardhësit të denjë të drejtuesve të kryengritjeve të mëdha shqiptare ndër shekuj. Për një shok klase dhe njohësi të virtyteve që mbruajnë personalitetin e Jakup Krasniqit, s’ka si të mos jenë irituese skenat e operacioneve policore të bastisjes së shtëpisë së tij apo paraqitjes në bankën e të akuzuarve.

    Burgosja e tij në perandorinë serbo-sllave, siç e quante atëherë ai Jugosllavinë, na pati indinjuar shumë, megjithatë, atëbotë ishim të përgatitur për çdo kualifikim që mund t’i bëhej nga pushteti – të tilla që rëndom bëjnë pushtuesit mbi veprimtarët atdhedashës. Tani, dekada pas, duke parë që gjuetia ndaj figurave qendrore të UÇK-së filloi pikërisht me zëdhënësin e saj dhe po vazhdonte pothuajse me gjithë shtabin drejtues, s’ka si të të mos vejë mendja se ky projekt, para se “të vejë drejtësi”, mëton të poshtërojë luftën dhe vlerat e saj.

    Ne të gjithë jemi dëshmitarë të paraqitjes së Jakup Krasniqit në Hagë vite më parë: sa i urtë e i pjekur politikisht, po aq i pakompromis në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit shqiptar. Jam i bindur se i tillë do të jetë edhe tani.

    Sepse, Jakup Krasniqi s’mund të jetë ndryshe. I tillë kishte qenë edhe në vitin 1982, në sallën e gjyqit jugosllav në Prishtinë. Thuhej se në atë kohë, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Negroc, organet policore e të hetuesisë i kishin gjetur dy pushkë. Ai po akuzohej për propagandë armiqësore, bashkim për veprimtari armiqësore dhe kundërrevulucion.

    Me një fjalë, për veprime kundër Jugosllavisë, me synimin për ta shkatërruar atë. Dhe si “dëshmi” e kësaj, ishin dy pushkët e konfiskuara në shtëpinë e tij. “Çfarë perandorie vallë na qenka kjo, që po u shkatërruaka me dy pushkë?”, u ishte përgjigjur me pyetje ironike gjykatësve e prokurorëve.

    Paska qenë e thënë që Jakup Krasniqi të jetë serish njëri ndër protagonistët kryesorë mbi të cilin serish do të bjerë barra e madhe e përgjegjësisë për ta mbrojtur dhe lartësuar luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së, të cilën, në këto 20 vjet, të gjithë ne, as nuk e nderuam, as nuk e mbrojtëm, dhe as nuk e lartësuam sa duhet.

    Jakup Krasniqi do të mbetet zëdhënësi i përjetshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. Ai ishte dhe do të mbetet zëdhënësi i aspiratave kombëtare të shqiptarëve në dekada. Thonë se të gjithë njerëzit kanë dëshirë të rrinë nën hijen e mirë.

    Edhe ne shokët e shoqet e klasës së pestë/një, të Normales së dikurshme, kemi qenë dhe jemi krenarë me veprimtarinë atdhetare të Jakup Krasniqit dhe Gani Sylajt.

    KESCO u certifikua me tri ISO Standarde
    Nga Rubrika
    Opinione05 Maj 2024
    Nga Ali Ahmeti Të dashur vëllezër dhe motra, I dashur kryeministër, i dashur President Moisiu, i dashur President Topi, i dashur Balla,...
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Të tjera
    Sport05 Maj 2024
    Futbollisti i Racing Santander, Inigo Sainz – Maza është përjashtuar me karton të kuq nga ndeshja në momentin kur i kërkoi gjyqtarit...
    Sport05 Maj 2024
    Sipas Diario SPORT, një nga hapat e parë të veprimit të Barcelonës pas humbjes së Gironas ishte të nxirrte mesfushorin Frenkie de...
    Kronika05 Maj 2024
    Në Burgun e Dubravës, oficerët e Shërbimit Korrektues kanë arritur të parandalojnë dy raste të futjes së kontrabandës. “Gjatë bastisjes rutinore në...
    Vip05 Maj 2024
    Këngëtarja e njohur Bleona Qereti që prej vitesh jeton në SHBA ka treguar se është një nga aktoret e kastit që ka...
    Vip05 Maj 2024
    Dua Lipa ka treguar se iu desh të bënte një pauzë në rrjetet sociale pasi një video e kërcimit të saj u...
    Kronika05 Maj 2024
    Policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona në Fushë Kosovë, dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike. “Pas...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.