×
  • Opinione
  • Opinione

    Nëse Trumpi fiton, përgjithmonë do të largohem nga Amerika!

    David A. Andelman
    02 Maj 2024

    Nga: David A. Andelman / CNN

    Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më shpesh me punë, gjithmonë në të njëjtën ndërtesë në qosh të Muzeut “d’Orsay” dhe direkt matanë Senës nga Tileriesë.

    Kurrë nuk ishim të detyruar të bëjmë zgjedhje nëse ajo përgjithmonë do të jetë shtëpia jonë. Tash, tok me një numër të bashkëkombësve amerikanë, vetëm atë lëvizje jemi duke e shqyrtuar.

    Në rritjen e numrit të rasteve të tilla, arsyeja mund të gjurmohet te një burim i afërt – ish-presidenti Donald Trump. Ose, më saktë – te mënyra se si ai e ka copëtuar Amerikën dhe demokracinë tonë të cilën e kam dashur për gati 80 vjetët e mia në këtë planet.

    Dhe, kur nisa të pyesja gjithnjë e më shumë për këtë shqetësim, gruaja ime Pamela dhe unë vërejtëm se nuk jemi të vetmit me këtë ndjesi që po rritet.

    “Është gjëja e parë që thonë, ‘më largoni nga [Amerika]’”, thotë Adrian Leeds. Për çerek shekulli, përmes agjencisë së saj të pasurive të paluajtshme Adrian Leeds Group, ajo kryesisht ka këshilluar amerikanët të cilët mendonin të barteshin në Francë, se si ta gjejnë një vend për të jetuar. “Por, tani ka një valë të të rinjve që thonë: ‘Nuk duam t’i rrisim fëmijët tanë në këtë vend. Duam që fëmijëve tanë t’ua japim më të mirën. Dhe, jemi shumë të pakënaqur’”, më tha ajo.

    E, duket se kjo tendencë po përshpejtohet. “Jemi rritur me njëqind përqind; deri tash, nga janari në mars e kemi dyfishuar biznesin, më shumë se gjithë vitin e mëparshëm”, vazhdoi Leeds. “Po shkon kaq shpejt, saqë shifrat janë çmendur. Dëgjoj për çdo ditë: ‘Më nxirr jashtë vendit’”!

    Natyrisht, nuk është vetëm Franca vendi ku ndodhin diskutimet e tilla. “Duke filluar nga viti 2020, nga amerikanët që përbënin pesë përqind të klientëve tanë, sot kemi 70 përqind”, tha nga Dubai në një intervistë për Zoom, Patricia Casaburi – CEO e Global Citizen Solutions me qendër në Londër, një firmë konsulente për migracionin. Dhe, së fundmi, numri i amerikanëve “vetëm është rritur”, shtoi ajo.

    Për të qenë të sigurt, ka arsye se pse amerikanët e bëjnë këtë lëvizje – përtej perspektivës së një presidence të dytë të Trumpit. “Kur keni të shtëna masive në shkolla, ato thjesht i nxisin njerëzit të veprojnë sipas mënyrës për të cilën për një kohë të gjatë kanë menduar”, tha Casaburi. Por, shtoi se “axhenda politike padyshim që ndikon te njerëzit”.

    Tony Kahn, ish-producent veteran në PBS dhe NPR, në fillim të këtij muaji rrinte ulur në një korridor në një hotel në Meksiko-Siti, duke i bërë llogaritë e tilla.

    “Në momentin që po më pyet, kam ndjenja të përziera për shkallën në të cilën Amerika është vendi im”, tha Kahn në një bisedë në Zoom midis vendbanimit tim ndoshta jo shumë të përkohshëm, Parisit, dhe Meksiko-Sitit. Në rininë e Kahnit, “Meksika na pranoi kur Amerika në thelb nuk na donte. Kjo është çështja. Meksika gjithmonë ishte shtëpia e emigrantëve, për sa kohë që nuk merreshin me politikën që i futi në telashe në vendin e vet”, tha ai.

    Në vitin 1950, në moshën tetëvjeçare, Kahni dhe e gjithë familja e tij ikën në Meksikë kur, babai i tij, skenaristi i njohur i Holivudit, Gordon Kahn, u thirr nga Komiteti i frikshëm i Dhomës për Aktivitetet Jo-Amerikane, për lidhjet e supozuara komuniste me industrinë e filmit. Kurrë nuk doli për të dëshmuar.

    Babai i tij u ndoq pothuajse deri në fund të jetës – deri në moshën 62-vjeçare – nga J. Edgar Hoover dhe FBI-ja. Sot, Kahn ka frikë se rreziqet e ngjashme nuk janë aq larg në horizont.

    “Ka një ndjenjë sigurie dhe një ndjenjë përkatësie në Meksikë”, vazhdoi Kahn. “Nuk kam frikë se një i huaj do të tërbohet [ndaj meje] atje, sepse jam hebre. Në të njëjtën kohë, nuk jam i pushtuar nga ndjenja se duhet të largohem nga Amerika që tash, para se të jetë tepër vonë, por po i afrohem kësaj”, tha ai.

    Gjatë gjashtë muajve të fundit, ai i ka bërë pesë udhëtime në Meksiko-Siti – bashkë me gruan e vet – duke u përgatitur për vendimin përfundimtar.

    Ka gjithashtu të gjitha llojet e mundësive për largim. Ka nga ata që thjesht kërkojnë strehë ku mund të punojnë dhe të jetojnë të lirë, pa ndonjë nevojë të ngutshme për të marrë nënshtetësinë e dytë. Në Francë, për shembull, ka një sërë opsionesh – nga vizat e thjeshta që i lejojnë njerëzit të qëndrojnë përtej 90 ditëve – nga 180 sipas rregullave evropiane – e deri te carte de residence (e rinovueshme për çdo 10 vjet).

    Në shumicën e vendeve, si Franca, ta bësh atë hap tjetër drejt shtetësisë do të thotë gjithashtu të mësosh gjuhën dhe zakonet.

    Pastaj janë “pasaportat e arta” ku, në disa vende, kategoritë e larta ose nivelet e investimeve mund të jenë rrugë e shpejtë drejt shtetësisë, ose “pasaporta e talentit” nëse sjell kapacitete unike personale.

    “Shumë njerëz tani e dinë se si do të duket administrata Trump, dhe ata po e kuptojnë më shumë se kurrë se dyert janë të hapura për të jetuar në një vend tjetër dhe se kjo nuk është aq sfiduese sa mendonin”, tha avokati i emigracionit Daniel Tostado, i cili jeton në Paris.

    Tetë vjet më parë, në fillimin e ngritjes së Trumpit në Presidencë, Skyler Schmanski u bë një nga këta amerikanë që bëri një zgjedhje. Erdhi në Francë për të studiuar në një shkollë biznesi në Marsejë. Tani e ka në plan të qëndrojë.

    “Fillova ta përjetoj cilësinë e jetës që është këtu”, më tha ai. “Pavarësisht nëse është arsimi apo kujdesi shëndetësor. Por, kur filloj të hyj në atë kapitull tjetër të jetës, në të 30-at e mia, ato gjëra fillojnë të duken më të vërteta”, tha ai. Tani, me gruan, karrierën dhe më në fund me shtetësinë franceze, ai nuk ka dyshim se e ka bërë zgjedhjen e duhur.

    Schmanski kujton dy çështje të thjeshta që ishin thellësisht bindëse. “E godita kokën në mesnatë, kur u ngrita nën një derë për të cilën nuk dija se ishte e hapur sipër meje; pashë gjak, u alivanosa, u zgjova dhe mendova: ‘Me siguri më duhet të shkoj në spital’. Por, si amerikan thash: ‘Jo, nuk dua të shkoj në spital. Nuk e dua faturën prej 20 mijë dollarëve’”.

    “Por, e dashura ime, tani gruaja ime, më tha: ‘Shko në spital, se shpenzimi është i mbuluar’. Dhe, dola me një faturë prej 15 eurove [16 dollarë]. Uou, 15 euro. Për ta qepur kokën time. Kështu, thash: ‘Prisni pak. Ndoshta ka ndonjë gabim të vogël në sistem’”.

    Pastaj ishte diploma. “Shkova në shkollën e biznesit, një program master shumë i mirë me 15 muaj dhe për ekuivalentin e 15 mijë dollarëve [14 mijë euro]”, tha Schmanski.

    Sipas Casaburit nga Global Citizens Solutions, destinacionet më të njohura – për momentin për amerikanët që kërkojnë rrugëdalje – duket se janë Spanja, Portugalia dhe Greqia. Shton se Italia ishte zgjedhje popullore për një kohë, por sugjeroi se ardhja e kryeministres së djathtë, Giorgia Meloni, i shtyri disa amerikanë të pyesin nëse mund të rrezikonin lëvizjen nga tigani në zjarr.

    Sa për mua dhe gruan time, lëvizja e përhershme në Francë nuk do të ishte hap i tillë, siç do të ishte rasti i shumë të tjerëve, sepse është zgjatje e kohës që ne sot kalojmë atje.

    Por, a e shohin gjenerata e ardhshme të amerikanëve, të ardhmen e vet diku tjetër? “Në të kaluarën, bisedat që kemi pasur me amerikanët ishin: ‘A duhet të shkoj dhe të pensionohem në Evropë’? Por, tani, grupi i njerëzve është i profilit tjetër – familjet më të reja”, tha Casaburi.

    “Pra, në një moment ka kosto për vendin kur humb tatimpaguesit mbi të ardhurat, por edhe nga profesionistët e rinj të talentuar”, shtoi ajo.

    Siç tha Casaburi – braziliane që tani jeton në Londër – “amerikanët papritmas u gjendën në pozicionin ku ndjejnë se nuk e dinë se kush janë fqinjët e tyre ose anëtarët e familjes së tyre”.

    “Nuk mendoj se ka shumë rëndësi se në cilën anë të spektrit politik e gjen veten. Mendoj se të gjithë po rivlerësojnë diçka nga gjithçka”, tha ajo.

    Sa për ne, shumëçka varet nga natyra e zotimit të Trumpit për të përqafuar rolin e diktatorit. Siç thotë Pamela, “varet se sa të sigurt ndihemi në llojin e vendit që ai premton – një vend që nuk është më demokraci”. /Telegrafi/

    Dyfish n’plus me ArtMotion
    Nga Rubrika
    Opinione16 Maj 2024
    Shkruan: Ditmir Bushati Ashtu siç pritej zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut rikthyen në pushtet partinë konservatore VMRO-DPMNE. Ajo siguroi...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Adri Nurellari Në botën tonë të trazuar, ku konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh dominojnë titujt e mediave, dialogu dhe përpjekjet për...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Albert Prenkaj  Me Deklaratën e Göttweigut të 23 qershorit 2023 të shtat (7) vendeve të BEsë, dalin angazhime shtesë për bashkëpunim...
    Të tjera
    Lajme16 Maj 2024
    Situata rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, po ndryshon nga ora në orë. Nuk është shumë e qartë se çfarë...
    Lajme16 Maj 2024
    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të enjten vonë se e ka “të pamundur” ta vlerësojë tani për tani një propozim të Qeverisë...
    Lajme16 Maj 2024
    Sipas analistit Dukagjin Gorani në darkën Albin Kurti – Memli Krasniqi, u diskutua për pazare. Ai ka dyshime se aty është biseduar...
    Lajme16 Maj 2024
    Shpend Ahmeti është tallur me letrat që qeveritarët ia kanë dërguar ndërkombëtarëve. Ai ka thënë në “Pressing” të T7 se nëse do...
    Lajme16 Maj 2024
    Ish deputeti i Nisma-s, Bilall Sherifi ka shkruar për letrën e Gërvallës drejtuar Asamblesë Parlamentare ku thuhet se Qeveria po punon për...
    Bota/Rajoni16 Maj 2024
    “E vrava dhe nuk pendohem”, kjo është deklarata që ka dhënë për policinë 50-vjeçari shqiptar që masakroi për vdekje gruan e tij,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.