×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: Marrëveshja e Uashingtonit, e papranueshme – sjell Kosovën në Serbi

    FrontOnline
    04 Shtator 2020

    Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të dëmshme, të papranueshme dhe të padenjë marrëveshjen e arritur sot në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një komunikatë për media, Vetëvendosje vlerëson se marrëveshja e sotme më shumë i ka ngjarë “një ekonomizimi të dështimit territorial”, sesa “normalizimit ekonomik”.

    Sipas partisë së udhëhequr nga Albin Kurti, Qeveria e Kosovës sot ka gënjyer “sepse njohja reciproke nuk u arrit, ndërkohë që çështjet e brendshme të Kosovës edhe një herë u trajtuan me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme”.

    “Në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se dy palët, pra Kosova e Serbia, do të punojnë me SHBA-të për studim fizibiliteti për ndarjen e liqenit të Ujmanit, si burim uji e energjie. Kjo pikë konsiston në rikthimin e Serbisë në Kosovë, pra duhet konsideruar si tradhti. Kosova është e pavarur prej Serbisë, Liqeni i Ujmanit është burimi më i rëndësishëm ujor i Kosovës, dhe është pronë e Republikës së Kosovës, tërësisht. Njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit, e bën këtë marrëveshje të papranueshme për Kosovën”, thuhet në njoftimin e VV-së.

    VV-ja thotë se po në atë pikë përmendet diversifikimi i furnizimit me energji, e që sipas saj, pikërisht në këtë pikë humb sovraniteti energjetik i Kosovës.

    “Kjo do të thotë se sërish po lejohet dhe nxitet ndërhyrja e Serbisë në sovranitetit energjitik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Kjo e dëmton rëndë inkuadrimin e Kosovës në arritjen e fundit të Kosovës në marrëveshje me ENTSO-E duke u shkëputur nga blloku energjitik me Serbinë”, theksohet në reagimin e VV-së.

    Reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje: 

    Dy marrëveshje porsa u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Washington D.C. Duhet të sqarohet, pse pati nevojë për dy marrëveshje? Kush me kë ka lidhur marrëveshje, kush ka nënshkruar, sepse këto nuk janë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. A janë këto veç një hapje e rrugës për Serbinë në Washington?

    Ajo çfarë u quajt sot normalizim ekonomik, më shumë ngjan si një ekonomizim i dështimit të shkëmbimit territorial. Mbi të gjitha, qeveria koti edhe një herë gënjeu, sepse njohja reciproke nuk u arrit, ndërkohë që çështjet e brendshme të Kosovës edhe një herë u trajtuan me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme.

    Në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se dy palët, pra Kosova e Serbia, do të punojnë me SHBA-të për studim fizibiliteti për ndarjen e liqenit të Ujmanit, si burim uji e energjie. Kjo pikë konsiston në rikthimin e Serbisë në Kosovë, pra duhet konsideruar si tradhti. Kosova është e pavarur prej Serbisë, Liqeni i Ujmanit është burimi më i rëndësishëm ujor i Kosovës, dhe është pronë e Republikës së Kosovës, tërësisht. Njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit, e bën këtë marrëveshje të papranueshme për Kosovën.

    Po në atë pikë përmendet diversifikimi i furnizimit me energji. Kjo do të thotë se sërish po lejohet dhe nxitet ndërhyrja e Serbisë në sovranitetit energjitik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Kjo e dëmton rëndë inkuadrimin e Kosovës në arritjen e fundit të Kosovës në marrëveshje me ENTSO-E duke u shkëputur nga blloku energjitik me Serbinë.

    Në pikën 5 të marrëveshjes deklarohet se Kosova do të bëhet pjesë e iniciativës së quajtur «minischengen». Kjo iniciativë është kritikuar me kohë, nga shumë palë. Kosova nuk ka asnjë arsye që të bëhet palë në ndonjë marrëveshje me një vend që nuk e njeh atë, siç është Serbia. Për më tepër që ky “minishengen” është nje hapësirë që do të hegjemonizohej lehtë nga Serbia, për shkak të pabarazisë ushtarake, demografike e ekonomike mes saj dhe vendeve të tjera. Projekti i “minischengenit” është kritikuar me të drejtë nga shumica e subjekteve politike në Kosovë, ndaj nënshkrimi në këtë marrëveshje tregon se ajo nuk reflekton aspak pikëpamjet e palës së Kosovës.

    Në pikën e parafundit të marrëveshjes deklarohet se Kosova për një vit angazhohet të mos kërkojë më anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo është kërkesë që Kosova për një vit të heqë dorë prej sjelljes së saj si një shtet normal e sovran. Pse t´i kërkohet Kosovës që të heqë dorë nga sovraniteti i saj, qoftë dhe përkohësisht? Ç´lidhje ka kjo me zhvillimin ekonomik të Kosovës? Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i ndihmon ekonomisë, nuk e pengon atë.

    Në marrëveshje thuhet se Kosova e Izraeli do të njihen në mënyrë reciproke, e kjo është një lajm shumë i mirë. Por pse duhet që kjo njohje reciproke të lidhet me këtë marrëveshje të keqe, e cila e sjell Serbinë në Kosovë?

    Po ashtu, marrëveshja tregon se Kosova do të lejojë korridoret hekurudhore e rrugore që Serbia të dalë në detin Adriatik. Nëse as me këtë lëshim Kosova nuk e mori njohjen prej Serbisë, çka tjetër do të duhet të lëshojë? Devijimi i rrugëve prej Mitrovicës në Merdare, dhe përfshirja në një marrëveshje ndërshtetërore i rrugëve të brendshme të Kosovës, krijojnë terren për një projekt të rrezikshëm, siç është ai i ndarjes territoriale të pjesës veriore të vendit. Për më tepër, në marrëveshje merren zotime për rrugë që dalin në Durrës e Shëngjin, mirëpo Shqipëria nuk ka qenë palë në takim e as në marrëveshje.

    Sa i përket pikave ekonomike, një pjesë e tyre do të duhet të ishin tashmë të kryera, për shkak të marrëveshjeve të lidhura më parë gjatë dialogut teknik. Megjithatë ato nuk janë zbatuar nga pala serbe, sepse ka munguar afatizimi, si dhe mekanizmat ndëshkues në rast moszbatimi. Edhe në këtë rast, shohim se mungon afatizimi për investimet, por edhe mekanizmat për të ndëshkuar palët që nuk i zbatojnë zotimet.

    Mënyra e trajtimit të çështjes së personave të zhdukur është e turpshme dhe ofenduese ndaj të gjitha viktimave të luftës. Me këtë pikë Kosova dhe Serbia trajtohen si të barabarta, duke anashkaluar në tërësi faktin që akoma kemi 1641 persona të zhdukur si rezultat direkt i krimeve të kryera nga Serbia.

    Kërkim falja për krimet e kryera dhe dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë nuk përmendet askund.

    Çka është skandaloze është se në këtë marrëveshje që pretendon të rregullojë ekonominë, nuk përmenden fare dëmet e luftës, e as reparacionet për to. Por varfëria e thellë në Kosovë vjen edhe si pasojë e shkatërrimit masiv të pronave private e publike në Kosovë, gjatë regjimit të Milosheviqi dhe sidomos gjatë fushatës gjenocidale që Serbia ushtroi në Kosovë në vitet 1998-1999.

    Është po ashtu e papranueshme që Kosova të pasqyrohet si një vend islamik, arab apo i Lindjes së Mesme. Kosova është vend evropian, demokraci shekullare, dhe nuk është pranë Lindjes së Mesme as gjeografikisht as historikisht. Pasqyrime të tilla e dëmtojnë Kosovën, nëse lejohen të zënë vend.

    Lëvizja VETËVENDOSJE! mban qëndrimin se kjo marrëveshje e lidhur prej një qeverie pa legjitimitet, është një tjetër dështim dhe përfaqësim i padenjë përballë Serbisë, duke qenë se u shkua në takim pa strategji, pa plan, pa objektiva. Kjo marrëveshje duhet të kundërshtohet në Kuvendin e Kosovës, përndryshe do të çojë drejt lëshimeve të tjera, edhe më të rrezikshme. Marrëveshja afron Serbinë brenda në Kosovë, ndërkohë që njohja prej Serbisë nuk po afrohet.

    Nga Rubrika
    Lajme02 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore, Forumi Intelektual E-30 dhe Listal Ideal, Ramush Haradinaj, ka thënë se sfida e...
    Lajme02 Janar 2025
    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se është i trishtë lajmi për vdekjen e diplomatit kosovar Anton Berisha. Ajo...
    Lajme02 Janar 2025
    Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, ka thënë se sfida e parë e madhe për këtë vit është se si të dalë vendi...
    Të tjera
    Lajme02 Janar 2025
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se duhet të të krijohet një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor, për Gjykatën Speciale në...
    Lajme02 Janar 2025
    Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, më 23 dhjetor në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) votuan kundër certifikimit të Listës...
    Lajme02 Janar 2025
    Sot u anuluan katër fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kështu konformoi për Front Online, Valentina Gara, zëdhënëse për media...
    Vip02 Janar 2025
    Gjesti ka nisur ditën me Xhenetë, me t’i hapur sytë ai nga krevati i tij shkoi tek ai i Xhenetës. Ai e...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Pasagjerët në bordin e fluturimit 880 të Cathay Pacific përjetuan një udhëtim të rrallë që dukej se sfidonte vetë kohën. Duke u...
    Lajme02 Janar 2025
    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se e ka suspenduar një zyrtar policor, i cili jashtë detyrës zyrtare, në një veturë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.