×
  • Opinione
  • Opinione

    Vonesa e Perëndimit në raport me Rusinë

    FrontOnline
    31 Mars 2022

    Perëndimi ka fajet dhe kusuret e veta, çka po nënvizohet nga shumë ekspertë dhe politologë të huaj me emër. Natyrisht, as që bëhet fjalë për të vendosur shenjën e barazimit midis gabimeve dhe fajeve të Putinit me mangësitë e vonesat e Perëndimit. Por, për ta parë situatën në sy, për të qenë realistë, dhe për të shmangur në të ardhmen e afërt dukuritë, akterët dhe faktorët negativë të mëposhtëm, me qëllim që të mos ketë më “Putinë“ të tjerë.

    Le të ndalemi shkurt në dhjetë minuse, mungesa dhe vonesa që ka shfaqur Aleanca Perëndimore në qëndrimet ndaj Rusisë në këto 30 vitet e fundit.

    Së pari, siç konstatojnë disa politologë, në vitet 1990 ShBA-ja dhe BE-ja u morën goxha me diktatura në vende më të vogla, por jo aq sa duhej me fatet e Rusisë. Ndryshimi i madh në vitet 1990 krijoi eufori të tepruar; kjo dhe mbi bazën e pohimit të gabuar të Fukuyamas së famshëm, sipas të cilit rënia e Murit të Berlinit shënoi fundin e historisë. Kur në fakt, siç ka pohuar presidenti gjerman Walter Steinmeier, ai ishte vetëm “stacioni i fillimit drejt demokracisë“. Politologu i mirënjohur francez James Rupnik e ka quajtur me të drejtë Rusinë si “punë e pambaruar e Perëndimit“. Ky i fundit praktikisht nuk e mbështeti Gorbaçovin dhe pas shembjes së ish-BRSS-së e la atë me fjalët e Jelcinit “president pa shtet“. Veç kësaj, është marrë si i mirëqenë krijimi i një botë të re unipolare me ShBA-në në krye.

    Ndërsa, nga vitet 2000 e këtej, ShBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi kanë ndjekur ndaj Rusisë politikën “tërhiq e mos e këput“; me një nënvleftësim të habitshëm ndaj saj, madje dhe pas vitit 2007, kur Putini i shprehu hapur ambiciet për një arkitekturë te re sigurie në Evropë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Munih. Po, ka patur përpjekje dhe demarshe, por pa ritmin e duhur derisa gjërat ngecën në mes të rrugës. Më shumë ka patur një trajtim libresk akademik, duke u marrë shumicën e kohës nëse Rusia ishte “partner apo rival, konkurent“ .

    Edhe Administrata e presidentit Biden e nënvleftësoi Rusinë, duke e kaluar përparësinë e saj në Paqësor. U harrua se ndonëse në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare Rusia nuk ka ndonjë rol të madh, në fushën e sigurisë, sidomos asaj evropiane, ajo të prish shumë punë!

    Për ironi të fatit, BE-ja dhe NATO-ja u vonuan shumë në hartimin dhe miratimin e strategjive të veprimit ndaj Rusisë. Kështu, pas disa vitesh përgatitje, NATO do të miratojë këtë Kompas strategjik në Samitin e saj në qershor, ndërsa BE-ja e miratoi këtë mars, me ndryshimet e diktuara nga situata në teren.

    Pengesa, vonesa dhe mungesa të mëdha, për të mos përdorur termin dështim kanë pësuar NATO dhe BE, politikisht dhe ushtarakisht, në disa zona të nxehta konfliktesh, sidomos në Irak, Siri, Libi; në këto të fundit, u desh ndërhyrja ruse dhe turke për rivendosjen e situatës. Ndërsa, BE-ja doli vërtet “jashtë loje“. Së fundi dhe më dramatikja, tërheqja kaotike e NATO-s nga Afganistani pas dështimit 20 vjeçar atje i dha dhe më shumë zemër Putinit.

    Sa për BE-në, megjithë premtimet, samitet dhe reformat, ajo ka mbetur siç e ka sintetizuar 31 vjet më parë ish kryediplomati belg, Mark Eyskens, “gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak“.

    Duke vijuar me ShBA-të, ish Presidenca Trump në vend të ndihmonte për një zgjidhje të qëndrueshme, u bë pjesë e madhe e problemit dhe për aleatët evropianë. Duke hequr dorë nga diplomacia shumëpalëshe, ShBA-ja u largua nga 10 organizata ndërkombëtare, përfshirë OBSh-në në kulmin e koronavirusit, duke i lënë hapësirë të lirë veprimi Rusisë dhe Kinës. Të dyja u zgjodhën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë fill pas largimit prej saj të ShBA-së. Sulmi mbi Kapitol Hill më 6 Janar 2021 hodhi jo pak hije dyshimi mbi demokracinë amerikane.

    Vende të BE-së dhe NATO-s, duke filluar nga Gjermania hoqën dorë nga planet e fuqizimit dhe modernizimit të ushtrisë dhe mbrojtjes, duke iu përkushtuar pacifizmit, begatisë ekonomike dhe paqes sociale. Bundesuehri u katandis si mos më keq, pa fonde, me shumë defekte dhe mangësi të palejueshme për shtetin më të madh të BE-së. Përkundër thirrjeve të përsëritura, Gjermania nuk e ka realizuar ende kuotën prej dy për qind të GDP-së për NATO-n dhe e ka patur të ndaluar dërgimin e armëve në zona konfliktesh.

    Më tej, në vend të merreshin masa për kufizimin e importeve, veçanërisht pas vitit 2014, BE dhe Gjermania e shtuan më tej vartësinë ndaj gazit dhe naftës ruse, nga 25 për qind më 2014 në 37 për qind aktualisht.

    Gjithsesi, gabimi më i madh gjeostrategjik i BE-së ka të bëjë me zbatimin pa kritere dhe garancitë e nevojshme të modelit të liberalizmit ekonomik. E nisur nga mendimi se globalizmi, bashkë me shtimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare me Rusinë do të çonte drejt krijimit të një tregu të madh. Ky i fundit do të qetësonte politikën dhe do ta kthente Rusinë nga një rival, në konkurrent dhe partner tregtar të sigurt, pa rreziqe sigurie. Askush nuk ia vuri veshin politikanit emblematik 94 vjeçar Claus von Dohanyi, ministri i vetëm i gjallë i qeverisë Brandt në vitet 1970, se “Putini dhe Xi Pin Jin nuk ndryshojnë”. Këtë prirje e përforcoi më tej ish-presidenti Trump, i cili e bëri ekonominë dhe tregtinë përparësi absolute të politikës së jashtme dhe “kurën magjike“ për çdo problem politik, duke përfshirë Çështjen Palestineze dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

    Nisur nga ideja e mësipërme naive, BE-ja ka bërë “një sy qorr dhe një vesh shurdh“ ndaj shkeljes të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga ana e Rusisë. Pavarësisht nga deklarimet BE-ja ka vënë sistematikisht interesat e biznesit, mbi vlerat dhe parimet e saj themelore, realpolitikën mbi diplomacinë misionare. Natyrisht BE-ja ka shprehur reagimet e saj mbas aneksimit të Krimesë dhe persekutimit të përfaqësuesve të opozitës ruse; gjithsesi, ato ishin “kozmetike“ me sanksione që nuk i “futën gjemb në këmbë Rusisë“.

    Tipikë për këtë politikë favorizuese ndaj Rusisë ishte Gjermania dhe kancelarja Merkel; jo vetëm me Rusinë, por dhe me vende të tjera mbështetej stabiliteti më shumë se demokracia dhe shteti i të drejtës, derisa “nuk mbante më ujë pilafi“. Mjafton të përmendim se veç Putinit, miq të ngushtë të Merkelit ishin Borisovi bullgar, Orbani hungarez dhe Vuçiqi serb, pikërisht falë interesave gjigande të biznesit gjerman në ato vende.

    Më tej, sherret, grindjet dhe mosmarrëveshjet mes Aleancës e kanë dëmtuar kohezionin politik dhe operativ të BE-së dhe NATO-s. Sidomos katër vitet e fundit me ish-presidentin Trump ishin tejet negative për to. Dihen tashmë fërkimet e mëdha brenda NATO-s – Greqi-Turqi, Francë-Turqi, Turqi-ShBA, madje dhe Francë-Gjermani lidhur me ushtrinë evropiane, kur njëra kërkon sovranitet, tjetra autonomi ushtarake!

    BREXIT-i ishte padyshim rasti më problematik brenda BE-së me sfidat dhe të papriturat e tij, një lajm shumë i mirëpritur për Putinin dhe Trumpin. Madje, Trump shkoi aq larg sa dërgoi në Bruksel në vitin 2019 ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, për të organizuar ekstremistët e djathtë e për t‘ua kundërvënë forcave të moderuara evropiane në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian. Për fat të mirë ai dështoi me turp dhe sot është përpara drejtësisë.

    Po ashtu, katër vendet e Visegradit kanë dalë me teorinë e “demokracisë liberale“ duke u paditur në instancat evropiane të drejtësisë për shkak të shkeljes së parimeve dhe vlerave themelore të BE-së.

    Këto dhe të tjera ngjarje shqetësuese Euro-Atlantike janë nuhatur dhe shfrytëzuar nga Rusia dhe Kina, për të shtrirë më tej ndikimin dhe kontrollin e tyre.

    “Karrem“ tjetër për Rusinë ka qenë zgjatja e procesit të zgjerimit evropian drejt lindjes, paqartësitë dhe dyshimet e ngritura. Pas tetë vendeve ish-lindore më 2007, vetëm Kroacia është anëtarësuar më 2013, ndërsa negociatat janë çelur vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, por dhe ato kanë ngecur në vend. Nëse vendeve të tjera lindore iu deshën jo më shumë se 15 vjet për t’u anëtarësuar, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë 20 vite që presin “në radhë“ pa ndonjë perspektivë të qartë kohore. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përkatësisht 17 dhe tetë vjet që presin. Kjo dhe për faj të klasave politike në vendet tona, dukurive shqetësuese, sidomos krimit, korrupsionit, sundimit të ligjit etj. ndaj të cilave as ShBA-ja dhe as BE-ja nuk të falin më.

    Fatmirësisht, tani Perëndimi po nxjerr mësimet e duhura nga pësimet e këtyre 30 vjetëve të fundit dhe konkretisht në marrëdhëniet e tij me Rusinë; gjithashtu, po nxiton për të kompensuar kohën e madhe të humbur dhe për të ndërmarrë veprime që nuk imagjinoheshin më parë. Kështu, BE-ja do t’i japë fund vartësisë së saj nga gazi rus, jo më në 2050 siç parashikonte para një viti, as më 2030 para një muaji, por më 2027, një kohë rekord kjo! Më 27 shkurt, Bundestagu gjerman bëri një “revolucion“ të vërtetë“ në politikën e jashtme me anulimin e Gazsjellësit Nord Stream II me Rusinë, që ishte kthyer në “mollë sherri“ Euro-Atlantike, livrimin e ndihmave të shumta ushtarake për Ukrainën duke hequr dorë nga embargoja e tyre historike, vendosja e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, rritja mbi dy për qind të GDP-së për NATO-n dhe mbi të gjitha krijimin e Fondit gjigand të Garancisë Ushtarake prej 100 miliardë euro!

    Ndërkohë, Franca, në bashkëpunim me Turqinë dhe Greqinë, kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e dikurshme dhe janë angazhuar në projekte për strehimin dhe sistemimin e qindra mijëra banorëve viktima të Mariupolit martir në Ukrainë dhe ky “katalog“ i larmishëm ndihme e solidariteti të paparë perendimor vazhdon.

    Mbi të gjitha, tri samitet e G7, BE-së dhe NATO-s brenda një date, më 25 mars në Bruksel, me praninë fizike të presidentit Biden, me vendimet e tyre shënuan kulmin e unitetit të pathyeshëm historik të Aleancës Perëndimore, sa herë vjen puna për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, vlerave dhe parimeve të saj themelore. Tashmë kambanat e alarmit po ushtojnë fort për Putinin, i cili e sheh veten si humbës i madh në të gjitha planet. Dhe, në fushën ushtarake, përkundër supremacinë ndaj Ukrainës heroike, siç “duken bathët“ së shpejti mund të flitet vetëm për një “fitore si të Pirros“.

    Kredi me afat rekord të shqyrtimit dhe aprovimit
    Nga Rubrika
    Opinione05 Maj 2024
    Nga Ali Ahmeti Të dashur vëllezër dhe motra, I dashur kryeministër, i dashur President Moisiu, i dashur President Topi, i dashur Balla,...
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Të tjera
    Kronika05 Maj 2024
    Policia ka njoftuar se një person ka ndërruar jetë në QKUK. Në raport thuhet se dëshimitari ka deklaruar se e ka gjetur...
    Kronika05 Maj 2024
    Një person është arrestuar në Viti të shtunën më 4 maj për shkak se dyshohet për veprën penale “Fotografimi dhe video incizimet...
    Bota/Rajoni05 Maj 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Pashkët Ortodokse. Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, e ka shpërndarë...
    Kronika05 Maj 2024
    Një person është arrestuar të shtunën në Prizren, nën dyshimin se ka kanosur anëtarët e familjes së tij, dhe ka demoluar orenditë...
    Vip05 Maj 2024
    Orët e mbrëmjes në “Ferma VIP” kanë kaluar me batuta dhe humor mes fermerëve. Mariana, teksa ka qenë në dhomën e gjumit,...
    Vip05 Maj 2024
    Romeo sonte është zgjedhur finalisti i parë në “Big Brother Vip 3”. Ai u votua nga publiku pasi shkoi në nominim nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.