Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Hoti për dështim në menaxhimin e gjendjes me pandeminë Covid-19, në kohën kur vendi ynë po vazhdon të shënojë rritje të theksuar të infeksioneve të reja.
Në një konferencë për media, nënkryetari Besnik Bislimi tha se një pjesë të madhe të politikës as nuk ka pasur përpjekje për të pasur në kontroll pandeminë.
“Përballja me pandeminë ka dalë nga kontrolli, për një pjesë të madhe të politikës as nuk ka pasur përpjekje për ta pasur në kontroll. Dështimi me pandeminë do të ketë pasoja edhe në ekonomi”, paralajmëroi Bislimi.
Ish-ministri i Financave adresoi kritika edhe për mos implementimin e pakos emergjente fiskale, e cila sipas tij po stopohet.
“Pagesat e pakos emergjente fiskale u stopuan. Mbulimi i kartonit të gjelbër nuk u mbulua, marrëveshjet ndërkombëtare nuk po i kalojnë”, tha Bislimi.