
Organizata e pavarur Demokracia Plus (D+) ditë më parë ka hartuar një deklaratë me shtatë zotime për një Qeverisje më të mirë.
Zotimet e deklaratës për një qeverisje më të mirë janë :
1. Qeveria do të kufizohet në 15 Ministri, me maksimum dy zëvendësministra për një Ministri
2. Gratë do të udhëheqin së paku 30 % të Ministrive
3. Do të ketë transmetim të drejtpërdrejt të të gjithë mbledhjeve të Qeverisë
4. Kryeministri do të publikoj Raportet Vjetore për Realizimin e Programit të Qeverisë
5. Kryeministria dhe Ministritë do të publikojnë të gjitha kontratat dhe aneks-kontratat në ueb-faqet e tyre zyrtare.
6. Do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të Agjencioneve dhe ndërmarrjeve publike
7. Do të ketë raportim dhe standardizim në raportim te shpenzimeve të Kryeministrisë dhe gjitha Ministrive në baza mujore (Përfshirë faturat, urdhërblerjet dhe pagesat).
Deklarata i’u është dërguar kandidatëve për kryeministër të Republikës së Kosovës, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 . Deri më sot deklarata, sipas Demokracia Plus, është nënshkruajtur nga kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ndërsa gatishmëri për nënshkrim ka shprehur edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, raporton “Front Online”.
Albin Kurti në rast se do të zgjedhet kryeministër i Republikës së Kosovës, është zotuar se do t’i zbatoj të gjitha zotimet e lartëcekura.
Ndërsa kandidatët tjerë për kryeministër nga PDK-ja, AAK-PSD, Nisma-AKR-PD, ende nuk e kanë nënshkruajtur deklaratën. Lidhur me këtë “Front Online” ka kontaktuar me menaxherin e programit në D+ , Jetmir Bakija, për ta pyetur se pse partitë tjera nuk e kanë nëshkruajtur këtë zotim dhe a presin që deri në fund të fushatës elektorale do ta nënshkruajnë edhe kandidatët tjerë dhe cila është kërkesa e D+ për partitë politikë për një qeverisje më të mirë.
Front Online: Pse partitë tjera politike nuk po e nënshkruajnë zotimin për qeverisje të mirë
Bakija: Kandidatët për kryeministër të dy partive, LVV dhe LDK e kanë nënshkruar deklaratën për Zotime të Qeverisjes së Mirë. Sot na kanë informuar nga zyra e zonjës Vjosa Osmani-Sadriu që kandidatja e tyre për kryeministër është e gatshme të zotohet para këtyre praktikave të mira të qeverisjes por ende ka mbet t’i pranojmë edhe zyrtarisht. Ndërsa kandidati nga LVV, Z. Albin Kurti, e ka nënshkruar këtë deklaratë para disa ditëve. Nga njerëz të afërm me kandidatin e PDK-së kemi marrë informata që nuk janë në gjendje të zotohen me nënshkrim para këtyre Zotimeve për Qeverisje të Mirë. Kandidatët për kryeministër nga AAK-PSD dhe NISMA-AKR-PD na kanë konfirmuar se janë në shqyrtim të tyre.
Front Online: A prisni që deri në fund te fushatës edhe kandidatët tjerë do ta nënshkruajnë?
Bakija: Nga PDK tanimë na është bërë e qartë që nuk do të zotohen me nënshkrim para këtyre praktikave të mira, ndërsa nuk kemi marrë fjalë shumë premtuese nga AAK-PSD dhe NISMA-AKR-PD. Megjithatë shpresojmë ta rishqyrtojnë vendimin për zotimin para këtyre praktikave të mira të qeverisjes deri para heshtjes zgjedhore.
Front Online: Ne kemi kontaktuar me disa anëtarë të partive politike, por nuk kanë pasur njohuri lidhur me këto zotime?
Bakija: Kemi marrë konfirmime që të gjithë kandidatët për kryeministër e kanë pranuar deklaratën për Zotimet për Qeverisje të Mirë përmes bashkëpunëtoreve të afërm dhe ne kemi pasur kontakt së paku një herë me secilin nga bashkëpunëtorët e pesë kandidatëve për kryeministër. Edhe pse jo të gjithë zyrtarët e subjekteve mund të jenë të informuar për këtë. Megjithatë, thirrja ka qenë edhe e publikuar në mediume të ndryshme.
Front Online: Cila është kërkesa juaj për partitë politike lidhur me zotimet për një Qeverisje të mirë?
Bakija: Deklarata për Qeverisje të Mirë thërret për shtatë veprime minimale të një qeverisje të mire për Kosovë: 1. Jo më shumë se 15 ministri, 2. Së paku 30% të Ministrive të udhëhiqen nga gjinia e kundërt (pasi përfaqësimi gjinor ka qenë tejet i ulët në të kaluarën); 3. Transmetim të drejtpërdrejt të mbledhjeve të qeverisë; 4. Raport vjetor për realizimin e programit qeverisës;Publikimin e kontratave dhe aneks-kontratave ku do të shpenzohet paraja publike, depolitizim në përzgjedhjen e bordeve të agjencioneve publike, Raportim të detajuar shpenzimeve të parasë publike.
Front Online: A mendoni se mosnënshtrimi i këtyre zotimeve do ta sjellë një qeveri si ajo e kaluara, me një numër të madh të ministrave dhe zevendesministrave?
Bakija: Deklarata për Zotime thërret që numri i ministrive të kufizohet në 15 ministri dhe jo më shumë se dy zëvendësministra për një Ministri, që i bjenë që disa Ministri të kenë edhe nga një zëvendësministër. Kjo është konsideruar si një kabinet qeveritar i mjaftueshme, madje edhe nga vetë ekspert të qeverisë së kaluar. Pra, nënshkrimi i këtyre zotimeve do të ishte një garanci shtesë që të kemi një kabinet qeveritar jo më të madh se që kërkohet.