
Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, ka komentuar masën e pezullimit të dekretit të presidentit, që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese për çështjen e mandatarit.
Ai thotë për GazetaBlic se ky vendim ka qenë i pritshëm, sidomos në këto rrethana politike në Kosovë.Sipas Miftarajt caktimi i përkohshëm i këtij vendimi për dekretin e presidentit, nuk mund të interpretohet se dekreti është kundërkushtetues, apo se kërkesa e Vetëvendosjes është e bazuar.
“Masa e përkohshme në asnjë rrethanë nuk mund të interpretohet se dekreti është Kundërkushtetues apo së kërkesa e parashtruar nga VV është e bazuar. Caktimi i masës së përkohshme dhe vendosja në bazë të meritës janë dy procese të ndryshme dhe nuk paragjykojmë njëra tjetrën”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pritshëm dhe i domosdoshëm për rrethanat dhe gjendjen politike në Kosovë. Padyshim se Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka marr vendim mbi bazën dhe arsyetimin e parandalimit të një situate potenciale ku në rast të mbajtjes së.seancës nga Kuvendi i Kosovës për votimin e qeverisë, Kosova do të mund të përfundonte me dy qeveri”, tha Miftaraj.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në asnjë rrethanë nuk duhet dhe nuk mund të paragjykoj meritën e rastit. Praktika e caktimit të masës së përkohshme nuk është e re për Gjykatën Kushtetuese. Njëjtë kishte vendosur disa herë lidhur në proceset e emërimit të Kryeprokurorëve të Shtetit, Kryetarëve të Gjykatave si Supreme ashtu edhe të Apelit. Masa e përkohshme zakonisht caktohet me qëllim të parandalimit të shkarkimit të pasojave të parikuperueshme lidhur me proceset në fjalë”.
Të enjten, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi kërkesën për masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentit pak minuta pasi që ky i fundit njoftoi se ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.Kurse, Gjykata Kushtetuese u dha palëve afat për komente për caktim të masës së përkohshme sot deri në orën 12:00.30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dërguan në Kushtetuese dekretimin që Thaçi ia bëri Hotit për kryeministër.