Një person është plagosur në këmbë pas të shtënave me armë zjarri në zonën e “Astirit” në Tiranë.
Sipas raportimeve nga Abc News, personi i plagosur është Spartak Beqaraj 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Autori tashmë i identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia, pasi ka qëlluar 45-vjeçarin është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Policia ndërkohë ka rrethuar zonën dhe po punon për kapjen e autorit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 20.09.2020, rreth orës 17:45, në Unazë të Re, pranë një lokali, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasi S.B., 45 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për kapjen e autorit, i cili menjeherë pas plagosjes është larguar nga vendngjarja .
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.