
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka uruar të gjithë zjarrfikësit me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve.
Sveçla theksoi se është në dijeni për kushtet jo të volitshme në të cilat vazhdojnë të punojnë zjarrfikësit në Kosovë dhe konfirmoi mbështetjen e tij me qëllim të përmirësimit të kushteve në këtë institucion të sigurisë dhe për zgjidhjen e statusit juridik të tyre.
“Zjarrfikësit i kushtojnë jetën e tyre mbrojtjes së jetës dhe të pronës sonë. Roli i një zjarrfikësi në shoqërinë e sotme është ai i përkushtimit, angazhimit dhe sakrificës. Prandaj, të gjithë ne së bashku duhet të angazhohemi që zjarrfikësit të kenë nderin dhe respektin e merituar”, tha Sveçla.
Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve shënohet çdo vit më datën 4 maj. Në këtë datë nderohen të gjithë zjarrfikësit që kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së sigurisë për të gjithë qytetarët.