Gjykata Supreme i ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitura nga të dënuarit Ismet Deva dhe Bit Shala, duke lënë kështu në fuqi dënimet e shqiptuara ndaj tyre nga shkalla e parë.
Deva dhe Shala akuzoheshin se si zyrtar policor, në prill të 2018, në pikë kalimin kufitar në Qafë Prush, kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke lejuar dy automjete me mallra komerciale të hynin në Kosovë edhe pse në atë kohë në atë pikë kalim kufitar nuk kishte pasur doganier për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale.
Me këtë veprim të tyre, sipas prokurorisë, dy zyrtarët policor i kishin shkaktuar dëm material shtetit të Kosovës, në shumë prej 168.25 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 17 tetor 2019, i kishte shpallur fajtor dy të akuzuarit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtit i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim. Mirëpo më pas, me pëlqimin e të akuzuarve, dënimi me burgim u ishte zëvendësuar në dënim me gjobë, nga 2,000 euro për secilin prej tyre.
Gjykata e Apelit, më 24 shkurt 2020, kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve të ushtruara ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, duke ua vërtetuar dënimin të njëjtëve.
Kundër aktgjykimeve të shkallës së parë dhe të dytë, Deva dhe Shala kishin ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, për shkak të për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.
Të njëjtit i kishin propozuar Supremes, që të ndryshoj aktgjykimet e Themelores dhe Apelit dhe ata t’i lirojë nga akuza apo që çështjen të kthej në rigjykim.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e Kosovës, më një shkresë të datës 23 prill 2020, kishte propozuar që kërkesat e të të dënuarve të refuzohet si të pabazuara.
E pasi që ka shqyrtuar pretendimet e të dënuarve, Gjykata Supreme ka ardhur në përfundim se kërkesat e tyre janë të pabazuara.
Sipas aktgjykimit të Supremes, nuk janë të bazuara pretendimet e paraqitura në kërkesa të mbrojtësve të të dënuarve se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Kjo pasi sipas Supremes, gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët relevantë për zbardhjen e rastit, e në anën tjetër, duke u bazuar në shkresat e lëndës nuk rezulton se është bërë propozim konkret për dëgjimin e ndonjë dëshmitari, dhe për më tepër, pretendimi i theksuar në kërkesë për dëgjimin e dëshmitarëve kryesor është abstrakt dhe i pa konkretizuar meqë nuk është theksuar se cilët do të ishin dëshmitarët konkret që do të ishin relevantë për ndriçimin e kësaj çështje penale.
“Në arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë është konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe me këtë rast është bërë vlerësimi objektiv i dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuar dhe provave materiale dhe po ashtu është arsyetuar posaçërisht edhe mbrojtja e të dënuarve dhe fakti se pse mbrojtja e tyre ishte vlerësuar si e pabesueshme..”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Gjithashtu, në aktgjykimin e Supremes theksohet se me rastin e vlerësimit të pretendimeve përkitazi me përmbushjen e elementeve të figurës veprës penale, gjykatat e instancave më të ulëta në arsyetimet e aktgjykimeve të tyre kanë arsyetuar faktin se në veprimet e të dënuarve janë manifestuar të gjitha tiparet e përcaktuara të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare pasi që së pari të dënuarit kishin cilësinë e personave zyrtar, kishin tejkaluar kompetencat e tyre dhe atë me qëllim që të shkaktohet dëm të tjerëve e në rastin konkret buxhetit të shtetit
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të tri komponentët e kërkuara sipas dispozitës ligjore të nenit 422 par.1 të KPRK-së në rastin konkret ishin përmbushur në mënyrë kumulative dhe atë së pari nuk ishte kontestuese edhe sipas pikëpamjes së gjykatave të instancave më të ulëta se të dënuarit kishin cilësinë e personave zyrtar”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 20 mars 2019, Ismet Deva dhe Bit Shala, akuzohen se më 6 prill 2018, rreth orës 20:20, në cilësinë e personave zyrtar, zyrtarë policorë në pikë kalimin kufitar në Qafë Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.
Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke ushtruar detyrën zyrtare dhe autorizimin e tyre kanë lejuar të hynin në territorin e Republikës së Kosovës dy automjete të ngarkuara me mallra komerciale, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS, dhe atë automjetin e markës “Citroen Jumper Furgon”, të cilin e drejtonte Muhamet Tahiri, në të cilin kishte ngarkuar lloje të ndryshme të perimeve, frutave dhe fidanëve të vogla, si dhe automjetin e markës “Vë Cady Pick Up”, të cilën e drejtonte Bajram Gjoka në të cilin kishte ngarkuar 40 kuti me dredhëza, mallra këto që hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, edhe pse në atë kohë në atë pikë kalim kufitar nuk kishte doganier si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale.
Sipas aktakuzës, shtetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 168.25 euro.
Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.