
Presidenti Hashim Thaçi sot do ta ketë një përballje goxha me rëndësi.
Ai do të diskutojë virtualisht me disa figura politike që i ka kritikuar goxha fort muajve të fundit.
Janë krerët e Bashkimit Evropian, ata të cilët i kanë dërguar atij ftesë para kryeministrit Kurti për të marrë pjesë në Samitin e Zagrebit.
E në këtë samit online, të parit të shtetit kosovar, do t`i bëhet me dije se ka vetëm një dialog dhe se ai do të udhëhiqet nga Miroslav Lajçak.
Kështu po thotë njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, për portalin Front Online.
“Dy mesazhe për Kosovën. Ai që i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe ne këtë drejtim BE do e bëjë të qartë se ekziston vetëm një dialog dhe ai është dialog i fasilituar nga BE-ja dhe i drejtuar nga Lajçak”, tha ai.
Shasha: Pjesëmarrja e Spanjës në Samit, mesazh për ndryshim të qëndrimit për pavarësinë e Kosovës
Sipas tij, është mesazh shumë i rëndësishëm diplomatik, pjesëmarrja e Spanjës në këtë Samit.
Kjo, sipas tij, tregon përafrimin e qëndrimeve të Spanjës dhe vendeve anëtare të BE-së sa i përket Pavarësisë së Kosovës.
“Mesazh i dytë është pjesëmarrja e Spanjës në Samitin e nesërm. Ky është mesazh shumë i rëndësishëm diplomatik sepse duhet të kujtojmë që Spanja vitin e kaluar e kishte refuzuar Samitin, shkaku i Kosovës. Ky është mesazhi i rëndësishëm diplomatik i përafrimit të qëndrimeve të Spanjës dhe vendeve anëtare të BE-së sa i përket Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh ai për Front Online.
Shasha: Kosova do të ketë sukses në dialog vetëm me pjesëmarrjen e dy entiteteve
Presidenti Thaçi disa herë gjatë paraqitjeve të tij publike e ka bërë të ditur se nuk do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel pa u liberalizuar vizat.
E kjo çështje, sipas Shashës, nuk do të hidhet për diskutim as në samitin online të Zagrebit.
Pavarësisht kësaj, ai u ka bërë thirrje krerëve të Kosovës, të mos ndjekin qasje përjashtuese ndaj BE-së.
“Jo liberalizimi i vizave nuk është pjesë e agjendës. Institucionet duhet të jenë të kujdesshme për mesazhet që përçojnë. Edhe sot duhet të evitohen thirrjet përjashtuese, qoftë ndaj BE-së dhe SHBA-së. Kosova do të ketë sukses në dialog vetëm me pjesëmarrjen e dy entiteteve. Pres që koordinimi me intensiv mes SHBA-ve dhe BE-së do të sigurojë një koordinim dhe kohezion në Prishtinë. Do të shohim një përafrim të qëndrimeve mes SHBA – BE, me `rast edhe në Prishtinë do të sigurojmë edhe një unitet më të madh”, theksoi ai në një linjë direkte për Front Online.
Mbajtjen e këtij Samiti e ka përshëndetur Presidenti Hashim Thaçi.
Ai tha se është i lumtur që ky samit nuk u anulua dhe se të tillin e sheh si një mundësi të mirë që BE-ja të rikonfirmojë perspektiven e saj ndaj Kosovës. /FrontOnline/
https://www.facebook.com/100224887998265/videos/2556901344625528/