Zyrtarët amerikanë u kanë thënë shteteve që të jenë gati për shpërndarje të vaksinës potenciale për koronavirus nga 1 nëntori, duke ngritur shqetësime se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump është duke përshpejtuar këtë proces para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Qeveritë në gjithë botën janë duke shpresuar se do të gjejnë dhe shpërndajnë vaksinën sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të rihapin ekonomitë, ndërkohë që koronavirusi ka infektuar 25 milionë persona, prej tyre 850,000 kanë vdekur.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Trump ka thënë se vaksina mund të arrijë edhe para fundit të vitit, ndonëse shumë ekspertë shëndetësorë kanë dilema nëse mund të planifikohen të gjitha testimet klinike brenda një kohë aq të shkurtër.
Në një letër drejtuar shteteve dhe disa qeverive lokale, Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka kërkuar që të hiqen pengesat burokratike dhe të bëhen përgatitet për shpërndarje të vaksinës potenciale.
Anthony Fauci, zyrtari më i lartë amerikan për sëmundje infektive i ka thënë rrjetit NBC më 2 shtator:
“Unë besoj se deri në fund të këtij viti kalendarik, ne do të jemi rahat që kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive”.
Sipas të përditshmes amerikane, The New York Times prioritet për vaksinim do të kenë punëtorët shëndetësorë, zyrtarë për siguri kombëtare, dhe pjesëtarë të grupeve të ndjeshme etnike e racore.
Ende asnjë vaksinë nuk ka rezultuar e sigurt dhe efektive për koronavirus, ndonëse tri kompani perëndimore janë duke përparuar drejt fazës së tretë të testimeve klinike.
Sipas procedurave normale, verifikimi i vaksinave pontenciale merr disa muaj.