
Dy ushtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës janë shëruar nga Coronavirusi.
Ndonëse nuk dihet ende saktë numri i të infektuarve brenda këtij institucioni të sigurisë dhe mbrojtjes, nga Ministria e Mbrojtjes i është thënë portalit “Front Online”, se numri i të infektuarve është i vogël.
“Nga testimet e kryera në kuadër të FSK-së, deri me sot, kemi një numër shumë të vogël të konfirmuara me Civid19. Të gjitha rastet janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë as një simptomë. Dy (2) prej tyre kanë rezultuar negativ dhe janë shëruar plotësisht”, ka thënë për “Front Online”, Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun.
Sipas tij shfaqja e rasteve me virusin COVID-19, nuk ka ndikuar në operacionalitetin e FSK-së, raporton “Front Online”.
“Sipas kërkesave të bëra, FSK ka operuar me kapacitet e saj, në mbështetje ushtarake për autoritetet civile në vend. Rastet e konfirmuar nuk kanë ndikuar në operacionalitetin e FSK-së”, ka thënë ndër të tjera ai. E për kontrollet e personelit të FSK-së, sipas Shalës është duke u përkujdesur Qendra Mjekësore e FSK-së së bashku me Rexhimentin e Mjekësisë. “Qendra Mjekësore e FSK-së së bashku me Rexhimentin e Mjekësisë, në vazhdimësi janë duke kontrolluar të gjithë personelin, për të parandaluar rastet e mundshme të kontaktit dhe identifikimit eventual”, ka thënë Shala për “Front Online”.