Spanja është goditur me të paktën 200 “shpërthime” koronavirusi që prej ditës që lehtësoi masat kufizuese një muaj më parë. Rritja e numrit të të infektuarve ka nisur nga 21 qershori kur u lehtësuan masat dhe kjo ka rritur frikën për mundësinë e një vale të dytë të sëmundjes.
Lajmi vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë turistë nga vende të ndryshme të BE vizitojnë plazhet e vendit për pushime. Kryeministri i vendit Pedro Sanchez ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rrezikun e një vale të dytë duke thënë se “duhet ta shmangim me çdo kusht.”
Megjithatë, vendi konfirmoi 5,695 raste të reja me Covid-19, që është një rritje e konsiderueshme nga 2,944 raste që u konfirmuan një javë më herët.
Disa zona si Gandia janë detyruar që të rivendosin karantinën si përpjekje për të frenuar përhapjen.
Një plazh në Barcelonë, një dasmë në Tudela dhe një qendër e Kryqit të Kuq në Malaga janë ndër vendet ku u gjetën grupime të reja javët e fundit, dhe zyrtarët shëndetësorë tani po kryejnë testime masive.
Autoriteteve lokale u janë dhënë autorizime për të ndërmarrë masa emergjente siç janë mbyllja e plazheve dhe vendosja e shtetrrethimit nëse është e nevojshme.