×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfehet gazetarja kosovare që e mposhti Covid-19: Një muaj luftë, kisha momente që u ndjeva se po e humbi betejën

    FrontOnline
    21 Shtator 2020

    Gazetarja, Jehona Zhitia ka vendosur të rrëfejë për gjithë luftën e saj shëndetësore me COVID-19.

    Ajo ishte infektuar pas disa muajve që kishte raportuar për cdo ditë rreth gjendjes me të cilën po ballafaqohej vendi dhe gjithë globi.

    Zhitia në rrëfimin e saj tregon për ditë më të vështira që kishte kaluar sa ishte e infektuar, për më tepër kishte qaste që ishte ndjerë e pafuqishme.

    Ne ju sjellim rrëfimin e saj të plotë:

    Ato pesë shkronja që i kisha përmendur qindra mijëra herë gjatë pesë muajve të raportimit, e për të cilat kisha folur vetëm keq, kishin vendosur të më hakmerreshin. Kur u gjenda më pak e rrezikuar, organizmi nisi të luftonte me diçka të pazakontë, të paktën gjer në ato çaste.

    Vërtetësinë se trupi im po përballej me diçka të padëshirueshme e dha Instituti i Shëndetësisë.

    Ishte e shtuna e dytë e gushtit, kur dëshpërimisht iu dorëzova njoftimit se edhe unë isha e prekura, në mesin e 190 të tjerëve të cilëve u kishte nisur dita mbrapsht. Një statistikë kjo për të tjerët që rastet pozitive i matnin me peshoren ‘pak’ ose ‘shumë’. E vërteta ishte se ditët kur unë nisa këtë luftë të pabarabartë, dominonte vetëm fjala ‘shumë’. Duke mos e bërë veten të ligë para fëmijëve e bashkëshortit, të tre negativë, vendosa që përpëlitjet e para të shkaktuara nga ‘i huaji’, i cili po gjente labirinthe për t’u fshehur në organizmin tim, t’ia ‘qerasja’ vetes me hezitimin për të mos i ndërruar vendbanim virusit.

    Teksa mushkëritë i ishin dorëzuar sëmundjes, pjesa tjetër e brendësisë, e ndihmuar nga qesja varur, po orvatej t’i bishtënonte armikut. Porse s’po ia dilte.

    Me gjendjen që rëndohej dita-ditës, u zbut edhe kokëfortësia ime për të mos hyrë sërish në Infektivë, këtë herë si paciente.

    Mëngjesi i 20 gushtit më zbardhi nën dritat neon në dhomën nr. 3 të repartit E të Klinikës. Pika që shoqëronin njëra-tjetrën e që po e sulmonin me krejt artilerinë mjekësore vendndodhjen e armikut, por edhe tingujt shpresëdhënës që lëshonin aparaturat e pakta në hapësirën të cilën e ndaja edhe me një paciente, tregonin se sa e vlefshme ishte jeta, se sa të pazotë jemi kur na sulmon diçka, qoftë edhe mijëra e mijëra herë më i vogël se vetë ne.

    Ditët vijuese nuk sollën përmirësimin që prisja. Përkundrazi, gjendja rëndohej e krahas saj, për herë të parë nisa ta mendoja më të keqen. Në njërën prej mbrëmjeve, kur infermierja mundohej me batuta të më dispononte, unë thuajse i kisha humbur shpresat se do t’ia dilja. Ishte ky ai momenti kur ndihesh krejt e pafuqishme dhe e rrënuar gjer në palcë. Gjithçkaje iu zvogëlua vlera, aq sa peshonte vetëm me një frymëmarrje. Arritjet, shkollimi, puna, angazhimi, karriera, nuk kishin më asnjë rëndësi.

    Ajo ishte nata më e keqe e disa prej të tillave që i kalova në atë shtëpi të bardhë.

    Dyjavëshi, pas të cilit shumica e shpallnin fitoren përballë së keqes, më gjeti të shtrirë në Infektivë, e rrethuar nga një staf i përkushtuar e për të cilin isha bërë ‘rast studimi’ pas shfaqjes së një alergjie, e paparë tek pacientë të tjerë.

    Pavarësisht gjendjes jo të kënaqshme, pas konfirmimit se më nuk isha ‘pozitivja’ e asaj dhome, mjekët u pajtuan që trajtimin ta vazhdoja në banesë, e cila më shumë i ngjante një barnatoreje, muret e së cilës nuk ishin mveshur kurrë më parë me aromë medikamentesh: shiringa, ampula, qese infuzioni etj.

    Edhe gjatë kësaj kohe, nuk pushoi interesimi i miqve dhe të afërmve për shëndetin tim. Shumica prej tyre ishin pjesë imja, e kësaj ëndrre të keqe të cilën u detyrova ta shihja. Nuk u ndanë nga unë përmes komunikimit virtual, ashtu siç bënë bashkëshorti e fëmijët duke më qëndruar pranë fizikisht.

    U desh kohë që ta merrja guximin e ta përqeshja armikun, pasi nuk isha e sigurt se ai s’do të kthehej për t’u revanshuar për goditjen që i kishte dhënë organizmi im.

    Sot, e forcuar dhe e rrethuar nga familjarë e miq, e shikoj me mospërfillje atë keqbërës, si tytën e një ushtari që është i shtrënguar të qëllojë edhe të pafajshëm.

    Ai do të jetë armiku im, edhe pse s’jeton më tek unë. Do të vazhdoj ta sfidoj në formën si e kam bërë nga muaji mars. Gjersa të vijë dita kur askush prej nesh mos ta përmendë atë emër të lig, siç veprova dhe unë në këtë rrëfim!

    Nga Rubrika
    Lajme21 Mars 2025
    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata...
    Lajme21 Mars 2025
    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar një video sqarim për opinionin pasi njësiti i Krimeve Ekonomike kanë zbarkuar në Zyrën e...
    Lajme21 Mars 2025
    Ish-presidenti Hashim Thaçi pasi ka qëndruar për dy orë në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt ku edhe është parë me...
    Të tjera
    Vip21 Mars 2025
    Në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një video nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania, ku Loredana shihet duke zgjuar në...
    Lajme21 Mars 2025
    SHKSUK ka publikuar listën me emrat e kandidatëve për drejtor të QKSUK-së, në mesin e të cilëve është edhe një ish-deputet i...
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Policia metropolitane ka konfirmuar tani se komanda kundër terrorizmit po kryen hetime për burimin e zjarrit në nënstacionin në Hayes që çoi...
    Lajme21 Mars 2025
    Ish-presidentit Hashim Thaçi i është lejuar një vizitë dyditore në Kosovë nga Dhomat e Specializura. Klan Kosova.tv, ka mësuar se vizita është...
    Lajme21 Mars 2025
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do...
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit pas arrestimit nga SPAK, duket se ka gjetur një mënyrë për të shpjeguar...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.