
E premtja e kësaj jave shënoi ditën e parë të Ramazanit për këtë vit.
Kjo ditë ashtu sikurse edhe 29 të tjerat e këtij muaji të shenjtë, duket se do të jenë më ndryshe se ato të herëve të kaluara, për besimtarët myslimanë në Kosovë.
Kjo për shkak se ata do të kenë të pamundur t`i kryejnë disa prej adhurimeve në xhami – siç zakonisht kanë bërë, shkaku i mbylljes së tyre si rezultat i pandemisë.
E kjo situatë e pazakontë, megjithatë, nuk do t`ia pamundësoi besimtarëve arritjen e plotë të “sevapit”.
Kështu ka thënë në një intervistë për Front Online, Husamedin Abazi, imam në Xhaminë “4 Llullat” në Prishtinë.
“Islami është fe e cila ka ardhur për të hapur rrugë, jo për të mbyllur dyer, prandaj çdo gjendje dhe situatë i ka alternativat dhe zgjidhjet e veta. Edhe në këtë situatë e cila është e jashtëzakonshme, normal, që edhe ndjenjat tona janë të përziera sepse nuk po kemi mundësi t`i realizojmë të gjitha ato që i kërkon Ramazani, po them prapë janë alternativat dhe zgjidhjet që e realizojnë dhe e përmbushin besimtarin edhe në këtë gjendje”, tha Abazi.
Komunikimi hoxhë – xhemat vazhdon, ka ndryshuar vetëm forma
Imami Abazi e pranon se i mungon prania fizike e xhematit.
Këtë mungesë, sidoqoftë, ai thotë se po mundohet ta zëvendësojë përmes diskutimeve e ligjëratave online.
“Padyshim që na mungon xhemati. E, edhe xhematit i mungojmë ne. Prandaj nuk ka dyshim që këtë aspekt me një mënyrë jemi duke u munduar ta zëvendësojmë me gjendjen e re, me metodat e reja, e që vërtet jemi në komunikim të vazhdueshëm me xhematin, jemi në komunikim përmes aspektit online. Ka deshtë Zoti që kur është fjala tek komunikimi, komunikimi është i vazhdueshëm. Shpresoj se do të jetë i bereqetshëm. Kështu edhe po duket pa marrë parasysh se është e vërtet që takimi fizik dhe aspekti i prezencës fizike, edhe rastet e organizimeve tona nuk i zëvendëson asgjë”, theksoi ai për Front Online.
Organizimi i iftarit e i ceremonive mortore, vetëm nga rrethi familjar
Një prej momenteve me të cilin karakterizohet Ramazani është shtrimi i iftareve në rrethe të gjera.
Por një praktikë e tillë, për imamin Abazi, është mirë të mos zbatohet këtë vit.
Ai rekomandon që iftaret të bëhen vetëm nga gjiri familjar, shkaku i pandemisë, ku kërkohet distancim social.
“Nuk do të nga mungojë iftari edhe në këtë Ramazan. Kanë me qenë iftare të shkëlqyeshme dhe të ngrohta. E si mos të jenë të tilla kur ne do t`i bëjmë në gjirin familjar. Është më se e vërtet që aspekti social e aspekti afërsisë që e barte me vete iftari, që ka të bëjë me aspektin e pjesëmarrjes të sa me shume të afërmeve, dashamirëve, do të na mungoje në këtë ramazan, por megjithatë nuk do të na mungojë iftari i ngrohtë që bashkon zemrat e familjarëve. Do ta bëjmë në gjirin familjare, por kurrsesi nuk ftojmë as nuk preferojmë që populli me i shkel rregullat që janë ne interes të tyre, duke bërë të mëdha, vizita të ndërsjellat”, u shpreh ai.
Të njëjtin apel, hoxha e ka edhe për ceremonitë mortore.
“Padyshim ndërrimi i jetës se më të dashurve është një moment jo i lehtë për çdo familjar dhe për çdo familje. Gjithmonë kemi nevojë për njëri-tjetrin, në këto raste. Megjithatë në këtë situate edhe në këtë gjendje, gjithsesi duhet t`u përmbahemi këshillave të BIK-ut dhe institucionet tjera, që të vërtetë kjo të bëhet me një numër sa më të vogël të familjarëve. E më këtë e plotësojmë obligimin që e kemi ndaj të dashurve tonë që duhet t`i varrosim”, deklaroi ai për Front Online.
Në rrezik nga virusi edhe imamët, lutën që Zoti t`i mbrojë
Hoxhallarët kanë kontakt dhe takime të vazhdueshme me qytetarët.
Kështu, ata i ekspozohen rrezikut, për infektim me COVID-19.
Se ekziston një lloj rreziku e pranon edhe hoxha Husamedin Abazi.
“Ka një lloj rreziku nga çdo lloj takimi, por megjithatë përderisa jemi duke i respektuar këto masa, kam shpresë, që Zoti me na mbrojtë dhe me na ruajtë të gjithëve. Dashtë Zoti ta kalojmë këtë pandemi më sa më pak pasoja dhe në Bajram dalim faqebardhë. Insha-Allah bashkohemi ne Xhamitë tona në festën e Bajramit. Jemi të pajisur me pajisje mbrojtëse dhe vazhdimisht i përdorim kur kemi takime më të gjëra”, pohoi ai.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Një ditë agjerimi zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit./Front Online/