
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të nacionalitetit serb po përballen me kërcënime e shantazhe nga autoritetet e Serbisë, krejt kjo për ta lënë detyrën.
Ata në disa raste po përjetojnë edhe dhunë fizike, kur nuk iu binden autoriteteve serbe.
Kështu po thotë për Front Online, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni.
Në disa raste ka tendenca edhe për bashkëpunim me autoritetet serbe për të nxjerrë informata rreth angazhimeve në FSK.
“ Presionet vazhdojnë, ato janë të pandërprera. Çdo pjesëtarë i yni që kalon kufijtë e Kosovës dhe kalon në territorin e Serbisë, tani ata e kanë procedurë që menjëherë t’i ndalojnë, i marrin në pyetje. Mundohen me nxjerrë informata rreth angazhimeve tona. Ka raste kur edhe i ngarkojnë me detyra specifike, mundohen t’i rekrutojnë si bashkëpunëtorë. Por, janë edhe raste që shkojnë në ekstrem kur edhe fizikisht i kërcënojnë, kur ata mendojnë që pjesëtarët e FSK-së të nacionalitetit serb nuk po i binden autoriteteve serbe”, tha ai për Front Online.
Quni: Ushtria e Kosovës me kapacitete të plota në vitin 2027
Quni tha se janë duke e menaxhuar edhe këtë situatë, dhe i kanë ndërmarrë të gjitha masat që pjesëtarët e FSK-së të nacionalitetit serb të ndjehen sa më të sigurt në shërbim./Front Online/
Ministri i Mbrojtjes Anton Quni në një intervistë për “Front Online”, nuk ka treguar se sa pjesëtarë të nacionalitetit serb i shërbejnë Forceës së Sigurisë së Kosovës. Poashtu këtë çështje ai e ka mbajtur në diskrecion edhe kur është pyetur se sa pjesëtarë të këtij komuniteti janë larguar nga FSK-ja pas presioneve nga autoritetet serbe.
“Tani kjo çështje ndahet në diskrecion, pasi që është çështje sensitive. Nga arsyeja që pjesëtarët e komunitetit serb të ndjehen sa më të sigurt. Edhe kjo është një çështje që ne e ndajmë në konfidencë. Gjithnjë është do të thotë lidhje me sigurinë e pjesëtareve të FSK-së të komunitetit serb. Do të thotë mos insistoni që të flasim me numra. Arsyeja është që ne atyre tu ofrojmë siguri më të lartë”, ka thënë ndër të tjera Quni.