×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Pse Gjeneva ka pagën më të lartë minimale

    FrontOnline
    13 Nëntor 2020

    Gjeneva është një vend shumë i pasur. Nikoqire e sektorit më të madh financiar në botë, Kombeve të Bashkuara, shtëpive të ankandeve “Sotheby’s” dhe “Christie’s”, që rregullisht shesin gjëra të çmuara, të praruara sa t’i marrin sytë. Dhe tashmë ka nisur me zbatimin e pagës më të lartë minimale në botë si rezultat i një referendumi të mbajtur në fund të shtatorit.

    Me sistemin e ri, një orë pune paguhet 23 franga zvicerane – apo barabar me 19 sterlina, 25 dollarë ose 22 euro – që i bie se paga më e ulët mujore do të jetë katër mijë franga.

    Pse është e domosdoshme?

    Ky kanton zviceran mund të jetë i pasur, por është edhe vendi ku ndodhen mijëra punëtorë hotelesh, kamerierë, pastrues dhe floktarë, të cilët mezi ia dalin t’i përmbushin nevojat e tyre në fund të muajit. Kur Zvicra u mbyll në mars si pjesë e masave kundër koronavirusit, pamjet e njerëzve në radhë në banka të ushqimit në Gjenevë ia kishin dalë të rroknin vëmendjen e mediave më të mëdha në botë. “Colis du Coeur” i Charly Hernandezit shpërndan çanta me pemë e perime në një bankë ushqimesh në qendër të qytetit. Njerëzit presin në radhë, e radhët janë të gjata. Shumica prej tyre janë gra, madje pjesa më e madhe vajza të reja dhe fëmijë.

    A nuk janë shumë katër mijë franga në muaj?

    Mund të duket si shumë e lartë, por kështu mendoni vetëm nëse nuk jetoni në Gjenevë, shpjegon Charly. “Një dhomë e vetme është një mijë franga në muaj, nëse mund të mbijetoni me 500 franga në muaj për ushqim, i bie se jeni menaxher i mirë, sigurimi shëndetësor është 550 franga në muaj për person. Nëse keni familje me dy fëmijë, zor se mund t’ia dilni mbanë”. Paga e re minimale do ta bëjë dallimin te shumë njerëz, si Ingridi, e cila ishte detyruar të shkonte në banka ushqimi për t’u furnizuar për të kaluar muajin. “Në fund të muajit nuk më ngelet asnjë cent në xhepa”, thekson ajo. “Banka e ushqimit ishte diçka e mrekullueshme për shkak se mund të sigurosh ushqimin për një javë. Një javë është e rëndësishme kur ngelesh pa para”. Ajo ka treguar se si gjatë muajve të pandemisë ishte edhe më e vështirë që të sigurohej ushqimit për shkak se duhej të merrej vetëm një hise e pagës si mbështetje shtetërore kur shumë punëtorë u detyruan të punonin me orar të kufizuar nga shtëpia ose kishin mbetur fare pa punë. Ingridi thotë se jeta në shtetin helvetik është shumë e zorshme, sepse çmimet janë më të larta veçmas në Gjenevë, qendër e madhe e diplomacisë botërore, por edhe e bizneseve që ofrojnë produkte e shërbime të kushtueshme. Madje edhe disa vullnetarë, si puna e Lauras, mendojnë se është e shtrenjtë jetesa në Gjenevë. Me pagën e saj si infermiere, nuk ia ka dalë të ketë as edhe banesë apo të mos e ndajë me dikë qiranë. Kështu duhet të bëjë kompromise me privatësinë e saj shkaku i kostos së lartë të banimit. Kështu ajo është detyruar t’i kthehet banesës ku jeton edhe familja. “Ndryshe, do të duhej të jetoja në një banesë krejt të vogël, me një dhomë të vetme. Kështu që po jetoj me familje. Jam 26 vjeçe”, thekson Laura.

    Kush paguan?

    Bizneset që ofrojnë më pak se 23 franga në orë do të detyrohen t’u japin punëtorëve paga më të larta. Dhe duke pasur parasysh këtë barrë të re financiare për bizneset në kulmin e pandemisë së koronavirusit dhe krizës së shitjes, mund të bëjë më shumë dëm se dobi, druan Vincent Subilia, përfaqësues i Odës Ekonomike të Gjenevës. “Hotelet, restorantet, këto janë fushat që përballen relativisht me sfida të mëdha për shkak të pandemisë”, thekson ai. “Kjo mund të rrezikojë seriozisht ekzistencën e këtyre sektorëve”. Stefano Fanari, pronar restoranti, ka deklaruar për televizionin zviceran se nuk do të mund të mbulonte shpenzimet mujore. Si përgjegjës ndërrimi, ka thënë se paga e tij sillet ndërmjet pesë mijë dhe gjashtë mijë franga. “Si mund të vazhdoj kur duhet të paguaj kaq shumë për punëtorët e larjes së enëve? A duhet t’ua shkurtoj orët e ndërrimit? Mos ma merrni për të keq, por jam kundër pagës prej katër mijë frangash në muaj. Por ka një pikë ku thjesht nuk mund t’i mbuloj krejt shpenzimet. Unë kam sakrifikuar. Punoj dymbëdhjetë orë në ditë. Çfarë duhet të bëj?”

    Çka tash?

    Paga më e ulët e Gjenevës u fuqizua jo për shkak se e zbatoi Qeveria, por për shkak se qytetarët e Gjenevës propozuan “nismën e popullit”. Ata mblodhën nënshkrime për ta kthyer në çështje, dhe më 27 shtator votuesit votuan me shumicë për pagën më të lartë minimale. 58 për qind krahasuar me 42 për qind kundër. Çështja u shoqërua me debat të madh në mediat sociale, por edhe në shoqërinë lokale në përgjithësi. Kundërshtarët mendonin se kështu do të rëndohej barra për sipërmarrjet private që edhe ashtu po ankoheshin për ndikimin e pandemisë. Mbështetësit, në anën tjetër, mendonin se rrethanat e bënin të domosdoshme ngritjen e pagës minimale. Dhe në shtetin e referendumeve, sikur i referohet shumëkush Zvicrës ku votohet pothuajse edhe për çështje që duken të dorës së dytë në vende të tjera, u vendos që çështja të vendosej në kutinë e votimit. Sistemi zviceran i demokracisë së drejtpërdrejtë nënkupton se fjalën e fundit e thonë qytetarët, kështu që paga minimale është kthyer në detyrim ligjor. Ndikimi përtej Zvicrës Shpeshherë qytetarët zviceranë priren të votojnë me kujdes të madh kur diskutohen çështje të lidhura me shpenzimin e parasë publike. Por në të njëjtën ditë të referendumit, ata votuan edhe për fuqizimin e pagesës prej dy javësh në shkallë vendi të pushimit të baballarëve kur bëhen prindër. Dhe për Charly Hernandez, këto lëvizje janë shenja pozitive se sidomos në kohë të tilla të vështira, njerëzit në këtë vend goxha të pasur, këto veprime duhet të pasohen nga të tjera. “Ata votuan për dhe mua më vjen mirë. Ne kemi një demokraci të drejtpërdrejtë që është e mrekullueshme, por çfarë nuk e dinë shumë njerëz është se nismat e njerëzve nuk shkuan huq”. “Është diçka e jashtëzakonshme që propozimet u aprovuan, kështu që besoj se gjërat do të përmirësohen. Në rregull, goxha ngadalë, por kjo është shpejtësia tipike zvicerane”. Testi i radhës për votuesit do të jetë në fund të muajit kur zviceranët do të vendosin për “nismën e bizneseve të përgjegjshme”. Me këtë nismë u kërkohet kompanive zvicerane që të marrin përgjegjësi legale dhe financiare për të drejtat e njeriut dhe shkeljet mjedisore bashkë me rrjetet e furnizimeve me mallra, kudo në botë. Votimi për mund të ketë kosto edhe përtej Gjenevës lidhur me pagën minimale.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni07 Nëntor 2024
    Teksa uroi Trumpin për fitoren e tij në zgjedhje, Vladimir Putin tha se është gati të rifillojë kontaktet me të ose me...
    Bota/Rajoni07 Nëntor 2024
    Republikanët fituan kontrollin e Senatit, një fitore e rëndësishme që do t’i jepte Presidentit të zgjedhur Donald Trump një mjet kryesor për...
    Bota/Rajoni07 Nëntor 2024
    Presidenti amerikan Joe Biden i është drejtuar popullit nga Kopshti i Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, për të parën herë që nga...
    Të tjera
    Lajme07 Nëntor 2024
    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Visar Azemi ka publikuar disa fotografi nga tubimi i madh në Prishtinë që ka...
    Sport07 Nëntor 2024
    Disa nga favoritët zhgënjyen e disa të tjerë bënë detyrën ndaj kundërshtarit. Kanë përfunduar nëntë sfidat e para të kësaj të enjteje...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Antidroga i ka arrestuar dy persona në Prizren në një operacion policor. Atje u konfiskua po ashtu edhe një sasi e drogës....
    Lajme07 Nëntor 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke folur për fitoren e Donald Trumpt në SHBA, tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë harmoni...
    Vip07 Nëntor 2024
    Rezart Veleshnja është njëri nga banoret që krijon dinamika të shumta në ‘Big Brother VIP Kosova’. Për aktorin nuk ka munguar mbështetja...
    Kronika07 Nëntor 2024
    Është arrestuar një person në Prishtinë, i dyshuar për shitje të substancave narkotike. Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.