Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet rreth vjedhjes që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinaris.
Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për Front Online zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ne bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e rrethanave dhe zbardhjes së plotë të rastit ne fjalë”, ka deklaruar Ulaj.
Ndërkohë, lajmin për Front Online e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Front Onlinee njësitë policore gjenden në vendin e ngjarjes.
“Me datë 22.10.2020 në orën 08:05 në Policinë e Kosovës është raportuar se në një objekt në Fushë Kosovfë është kryer një vjedhje. Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetime për rastin”, ka deklaruar Hoxha.
Rasti ja ndodhur në ditën e njëjtë kur është mbajtur seanca për skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove në Thesarin e shtetit.