Një 27-vjeçar me precedentë penalë në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje është arrestuar në Bulqizë.
Gjithashtu, 27-vjeçari dyshohet dhe si bashkautor në një gjobëvënie, ngjarje e ndodhur më datë 19 qershor 2020, në Bulqizë. Bëhet fjalë për A.T., 27 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, në qershor 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, më datë 16.06.2019, në vendin e quajtur “Unaza e Re” Bulqizë, në bashkëpunim me vëllanë e tij M. T., i cili është arrestuar pas ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të shtetasit B. D. i cili mbeti i plagosur në dorë, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se është bashkautor i ngjarjes së ndodhur më datë 19.06.2020, në qytetin e Bulqizës, ku në bashkëpunim me shtetasin F. Sh., kanë kërcënuar për gjobëvënie një biznesmen, si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit F. Sh., për gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje. Materialet hetimore shtesë do t’i kalojnë Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.