×
  • Ekonomi
  • Banka

    Pasojat e barazimit të euros me dollarin

    FrontOnline
    12 Korrik 2022

    Vlera e euros u barazua të martën me atë të dollarit amerikan, për herë të parë në gati 20 vjet.

    Disa pasoja konkrete të kësaj rënieje të vlerës së euros janë:

    – në inflacion dhe në fuqinë blerëse

    Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave, Eurostat, gati gjysma e të gjitha mallrave të importuara në Eurozonë janë të faturuara në dollarë, ndërsa më pak se 40 për qind në euro.

    Nafta dhe gazi, për shembull, tradicionalisht paguhen me dollarë dhe çmimi i këtyre dy produkteve është rritur në muajt e fundit, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kjo do të thotë se do të nevojiten më shumë euro për të paguar një sasi ekuivalente të produkteve në dollarë.

    “Mallrat e importuara bëhen më pak konkurruese, konkurrojnë kundër njëra-tjetrës dhe për këtë arsye bëhen më të shtrenjta” – gjë që rrit inflacionin dhe gërryen fuqinë blerëse të familjeve, thotë Isabelle Mejean, profesoreshë në Universitetin Sciences Po.

    Një efekt specifik i rënies së euros kundër dollarit është se ai “do të zvogëlojë turizmin evropian në SHBA, sidomos”, thotë William De Vijlder, ekonomist në agjencinë bankare, BNP Paribas.

    Kjo, për faktin se vizitorët evropianë do të duhet të shpenzojnë më shumë euro për të blerë shumën ekuivalente në dollarë. Një gjë e tillë rrit koston e përgjithshme të udhëtimit të tyre në SHBA, por edhe në vende të tjera, monedhat e të cilave janë të lidhura me dollarin, si për shembull: Katari apo Jordania.

    Për dallim nga ta, vizitorët në Evropë nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Jordania do të përfitojnë nga kursi i këmbimit, pasi me dollarët e tyre mund të blejnë më shumë se më parë në Eurozonë.

    – në biznese

    Efekti i rënies së vlerës së euros dallon, varësisht asaj se sa i varur është një biznes nga tregtia e jashtme dhe energjia.

    “Kompanitë që eksportojnë jashtë zonës së euros, përfitojnë nga rënia e euros, sepse çmimet e tyre bëhen më konkurruese” kur konvertohen në dollarë, thotë Philippe Mutricy, drejtor kërkimesh në bankën Bpifrance.

    “Për dallim prej tyre, bizneset e orientuara nga importi janë në disavantazh”, thotë ai.

    Në rastin e zejtarëve lokalë, të cilët varen nga lëndët e para dhe energjia, por eksportojnë pak, euroja e dobët mund të çojë në një shpërthim të madh shpenzimesh.

    Fituesit më të mëdhenj nga rënia e kursit të këmbimit të euros janë sektorët e prodhimit të orientuar nga eksporti, si për shembull: industria e hapësirës ajrore, automobilave, mallrave luksoze dhe kimikateve.

    Dhe, lojtarët kryesorë janë “më mirë të përgatitur ndaj goditjeve”, pasi mund të mbrohen nga luhatjet e këmbimit, thotë Mutricy.

    “Ata blejnë valutë të huaj paraprakisht, me norma të favorshme, për t’u mbrojtur nga luhatjet e mprehta të kursit të këmbimit”, shpjegon ai.

    – në rritjen ekonomike dhe borxhe

    Rënia e vlerës së euros i bën çmimet jashtë Eurozonës më konkurruese – teorikisht i jep shtytje eksportit të mallrave dhe shërbimeve evropiane jashtë vendit.

    Por, efekti pozitiv mund të zvogëlohet nga rritja e çmimeve të mallrave – si rezultat i luftës në Ukrainë – sidomos në ekonomitë e orientuara nga eksporti, të tilla si Gjermania.

    Efekti në shlyerjen e borxheve, ndërkaq, është më pak i qartë.

    Sa më i shpejtë të jetë ritmi i rritjes ekonomike, aq më shpejt një vend mund të shlyejë borxhin e tij, thotë Mejean nga Universiteti Sciences Po, në Paris. Por, vetëm me kushtin që tregjet financiare e konsiderojnë borxhin evropian mjaftueshëm të sigurt dhe normat e interesit mbeten të ulëta.

    Për vendet që lëshojnë borxhe në dollarë, rënia e vlerës së euros kundër dollarit rrit koston e shlyerjes së borxheve.

    – në Bankën Qendrore Evropiane

    Duke rritur inflacionin, rënia e euros mund ta shtyjë Bankën Qendrore Evropiane (BQE) që t’i rrisë më shpejt normat e interesit. Ajo po përgatitet t’i shtrëngojë kostot e huamarrjes në korrik, për herë të parë në 11 vjet.

    “Mund të thuash se BQE-ja nuk do të reagonte ndaj rritjes së çmimeve të mallrave, por sfida e rifitimit të kontrollit mbi inflacionin rritet, pasi kursi i këmbimit rrit çmimin e importeve”, thotë De Vijlder.

    Banka e Francës ka thënë në fund të majit se dobësimi i euros mund t’i komplikojë përpjekjet e BQE-së për të zbutur inflacionin./REL

    20 mijë qytetarë të Gjakovës bëhen me rrjet të ri
    Nga Rubrika
    Ekonomi04 Maj 2024
    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka treguar se përmendja e luftës mund të sjell pasoja për vendin në aspektin...
    Ekonomi03 Maj 2024
    “Administrata Tatimore të Kosovës vazhdon me trendin rritës të të hyrave, ku vetëm për periudhën janar-prill 2024 ka arritur të mbledhë 356.5...
    Ekonomi02 Maj 2024
    Institucionet vendore kanë intensifikuar përpjekjet për ta luftuar ekonominë joformale në Kosovë. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, brenda këtë vit janë fiskalizuar...
    Të tjera
    Vip06 Maj 2024
    Një debat i fortë ka ndodhur mes Erjolës dhe Françeskës, ku kjo e fundit e akuzon se e ka qejf Romeon. Kjo...
    Kronika06 Maj 2024
    Një person në Leposaviq ka raportuar se dikush ka tentuar t’ia djegë veturën. Rasti po hetohet. “ZJARRVËNJE- Leposaviq 05.05.2024-NN. Ankuesi mashkull kosovar,...
    Kronika06 Maj 2024
    Një taksisti në Prishtinë të dielën përveç që nuk i është kryer pagesa për shërbimet e taksit edhe i është vjedhur një...
    Kronika06 Maj 2024
    Një person e ka sulmuar fizikisht një punëtor të një kafiteri në Dardani të Prishtinës. I dyshuari është dërguar në mbajtje. “SULM-...
    Lajme06 Maj 2024
    Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Halil Thaçi ka deklaruar për Front Online se Komisioni Hetimor nuk është menaxhuar mirë. Ai thotë se deputetët e...
    Bota/Rajoni06 Maj 2024
    Arabia Saudite ka rritur çmimet e naftës së papërpunuar për shumicën e rajoneve, duke ripërtërirë frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të zgjerohet...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.