×
  • Lajme
  • Lajme

    Pandemia shtyn qytetarët t’i kursejnë paratë, çuditet BQK’ja

    FrontOnline
    20 Gusht 2020

    Kursimet e qytetarëve në bankat komerciale janë rritur gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit në Kosovë, tregojnë të dhënat zyrtare.

    Rritja e kursimeve, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ka ndodhur për shkak se bizneset i kanë kursyer paratë dhe nuk kanë investuar, kurse qytetarët për shkak të perspektivës së pasigurt të shkaktuar nga pandemia, nuk kanë bërë shpenzime të zakonshme, por kanë kursyer para.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, deri më 1 gusht, niveli i depozitave ka kaluar vlerën prej mbi 4 miliardë euro. Mbi 150 milionë euro është shuma e kursimeve që është rritur në institucionet financiare nga muaji mars, kur në Kosovë, janë shënuar rastet e para me koronavirus. Sipas BQK-së, shuma e depozitave, ka qenë 3.8 miliardë euro.

    Nga vlera e përgjithshme prej mbi 4 miliardë eurosh, kursime të ekonomive familjare janë mbi 2.6 miliardë, të tjerat të korporatave financiare dhe jo financiare.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, për Radion Evropa e Lirë thotë se shuma e kursimeve është rritur për 5 për qind nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    “Është për çudi që në kohën e pandemisë të ketë një rritje të tillë të depozitave. Kjo, mendoj se është për dy arsye, arsyeja e parë është besueshmëria që sektori bankar ka tek publiku dhe arsyeja tjetër është fakti që njerëzit, duke pasur parasysh atë frikën se mos po përsëritet pandemia – çështja e pandemisë është një çështje delikate më vete, marrë parasysh faktin se sa do të zgjasë – dhe kjo është arsye shtesë që qytetarët dhe kompanitë kanë hezituar të investojnë apo të shpenzojnë paratë”, thotë Mehmeti.

    Edhe Blend Hyseni, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë kohës së pandemisë te qytetarët dhe bizneset ka ekzistuar një lloj frike për t’i shpenzuar paratë. Bizneset, thotë ai, janë duke e zhvilluar veprimtarinë e tyre, por për shkak të rënies se kërkesës, i kanë ndaluar investimet e reja.

    “Bizneset e vazhdojnë mënyrën e të bërit biznes, por nëse kanë planifikuar të investojnë, ato i kanë eliminuar, sepse është e paqartë dalja nga kriza e pandemisë dhe normalisht që mjetet mbesin në bankë”, thotë Hyseni.

    Kurse, qytetarët i kanë kursyer paratë, për shkak të paqartësisë rreth përfundimit të pandemisë, por edhe rrezikut të humbjes së vendeve të tyre të punës. Në muajt mars dhe prill, rritja e kursimeve, sipas Hysenit, ka ndodhur edhe për shkak të pamundësisë fizike të qytetarëve për të konsumuar në lokale dhe restorante, pasi ishin të mbyllura për shkak të masave kufizuese nga autoritetet kompetente për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

    “Sa i përket konsumatorëve, e ardhmja është e pasigurt dhe kursejnë për të ardhmen, pasi nuk e dinë a do të mund t’i ruajnë vendet e tyre të punës. Por, ka ekzistuar edhe pamundësia e shpenzimeve të parave, pasi sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë qenë të mbyllur dhe qytetarët nuk kanë mundur të dalin në restorante ose të bëjnë shpenzime luksoze. Kështu që është e pritshme rritja e depozitave”, vlerëson Hyseni.

    Ndryshe, vlera e depozitave e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në 3.1 miliardë euro, ekonomitë familjare kredi në bankat komerciale kanë mbi 1.1 miliard, kurse bizneset rreth 2 miliardë euro. /REL

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.