Një sulmues është futur në një spital në Louisiana të Shteteve të Bashkuara dhe deri më tani e ka qëlluar së paku një person. Sulmi është duke vazhduar.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, në spitalin St. Mary në Shreveport, ku thanë se një person i armatosur e ka qëlluar një person dhe tash për tash ndodhet diku brenda spitalit.
Në vendin e ngjarjes janë dërguar edhe forca speciale të policisë, të cilat janë vënë në kërkim të sulmuesit të dyshuar, shkruan Daily Mail.
Personi që është qëlluar me armë ka pësuar plagë, por është jashtë rrezikut për jetën, tha një zëdhënës.
Policia raportoi se mori njoftim për të shtëna në spital rreth orës 5 e 30 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale.
Deri në orën 7, sulmuesi ka qenë në arrati dhe në vendin e ngjarjes ndodhen mbi 20 njësi policore.
Një shkollë lokale, e cila ndodhet afër spitalit, është mbyllur në kohën kur autoritetet po punojnë për ta vënë situatën nën kontroll.