Një rast i pazakontë deri më tani ka ndodhur në Amerikë.
Në Staten Island, New York, Buddy, një qen i moshës rreth 7 vjeçare, ka rezultuar pozitiv me koronavirus, duke u bërë kështu qeni i parë në Shtetet e Bashkuara që ka dalë pozitiv me sëmundjen që ka mbërthyer globin.
Ai ka ngordhur më 11 korrik pas një sëmundjeje tre mujore, sipas National Geographic, transmeton Reporteri.
CNN duke përcjellë shkrimin e National Geographic, raporton se është e paqartë nëse Buddy ka ngordhur nga ndërlikimet që erdhën si pasojë e koronavirusit, të cilin ai me shumë gjasa e mori nga pronari i tij, Robert Mahoney, i cili testoi pozitiv këtë pranverë, apo nëse ai vdiq nga limfoma.
Dy veterinarë që nuk ishin pjesë e trajtimit të tij, por që shqyrtuan të dhënat mjekësore të Buddy për National Geographic, thanë për këtë revistë që qeni me siguri kishte kancer.
“Është ende e paqartë nëse kanceri e bëri atë më të ndjeshëm ndaj infektimit me koronavirus, ose nëse virusi e mori, apo nëse gjithçka ishte thjeshtë rastësi”, raporton revista.
“Mostrat nga qeni u morën pasi ai shfaqi shenja të përkeqësimit frymëmarrjes”, raportoi USDA në atë kohë. Qeni pritej që të kishte shërim të plotë. Por kjo nuk ndodhi. Shëndeti i Budit vazhdoi të përkeqësohej. Deri më 11 korrik, Allison Mahoney tha për National Geographic, ajo e gjeti atë duke “vjellë” gjak.
Aktualisht rreth 25 qen dhe mace vlerësohet se janë të infektuar me koronavirus në SHBA
Në këtë shtet nuk ka kërkesë të detyrueshme të testimit për kafshët që jetojnë në shtëpi me njerëz pozitivë në Covid-19, kështu që është e panjohur se sa kafshë shtëpiake në SHBA mund të infektohen dhe nëse janë në rrezikshmëri të lartë.