Nëna e dy djemve të vrarë, Arsim dhe Ramiz Berisha, e dëmtuara Shake Berisha, e ka gjuajtur me syze mbrojtësin e të pandehurit, Binak Panxha, avokatin Osman Cucoviq, derisa ishte duke i parashtruar pyetje ekspertit të hartografisë, Musë Hulaj.
Një veprim të tillë, e dëmtuara e bëri në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për vrasjen e Arsim dhe Ramiz Berisha po akuzohet i pandehuri Binak Panxha.
Panxha akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit të kaluar, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E dëmtuara Berisha theksonte se ishte pirë gjaku i djemve të saj të vrarë, ndërsa kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu mori vendim që e njëjta të përjashtohet nga gjykimi për shkak të sjelljeve të rënda dhe prishjes së rendit në gjykatë.
Ndryshe, në këtë seancë ishte ftuar eksperti i hartografisë Musë Hulaj, i cili deklaroi se në raportin e policisë për analizimin e thirrjeve telefonike, është dashur të bëhet përcaktimi i saktë i pozitës së të pandehurit përmes thirrjeve telefonike.
Eksperti theksoi se pozita e personave që kanë bërë thirrjen, mund të përcaktohet edhe më vonë, nëse operatori “Vala”, ka ruajtur shënimet e thirrjeve.
Eksperti shtoi se pozita gjeografike ishte e përcaktuar si regjion mirëpo sipas tij nuk ishte përcaktuar vendi saktësisht se ku ka qenë personi i cili ka bërë thirrjet.
Lidhur me këtë, prokurori i shtetit, Agron Galani tha se ishte e evidentuar se ku kishte qenë i pandehuri në momentin e telefonatës dhe sipas tij përcaktimi i vendndodhjes precize ashtu siç tha eksperti ishte jorelevante sepse sipas prokurorit, personi kishte qenë në lëvizje.
Mbrojtësi i të pandehurit, Binak Panxha, avokati Osman Cucoviq kundërshtoi të bëhet plotësimi i ekspertizës me arsyetimin se do të bëhet prolongimi i çështjes dhe se rezultati eventual i saj do të ishte jorelavant për çështjes.
Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu mori vendim që të bëhet plotësim i ekspertizës së hartografisë përmes zyrës ligjore të Valës së Kosovës, nëse eventualisht mund të përcaktohet me precizitet vendndodhja e të pandehurit .
Seanca e radhës u caktua më 18 dhe 30 nëntor 2020, duke filluar prej orës 10:00.
Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.
Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.
Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.
“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.
Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.