Me qëllim të njoftimit nga afër me operacionet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, së bashku me stafin e tij, vizitoi sot njësitë e Komandës së Forcave Tokësore (KFT), që po realizojnë kursin ‘Komando – Bereta’ në aeroportin e Gjakovës.
Ministrin Quni, gjatë vizitës u prit nga komandanti i KFT-së, gjenerali i brigadës, Fadil Hadergjonaj, si dhe oficerë të lartë të Komandës.
“Fillimisht, gjenerali Hadergjonaj e njoftoi ministrin Quni me objektivat e këtij ushtrimi, kapacitetet njerëzore dhe teknike, si dhe me nivelin e arritjeve profesionale të ushtarëve të FSK-së, gjatë këtij ushtrimi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërsa, ministri Anton Quni, citohet të ketë përgëzuar Komandën e Forcave Tokësore për realizimin e këtij ushtrimi në mënyrë profesionale.
“Ndër të tjera ai vlerësoi lartë faktin edhe pse gjendemi në kohë të pandemisë COVID-19, ushtarët e FSK-së janë në formacion të plotë duke kryer ushtrimet e planifikuara, me disiplinë dhe përkushtim të madh, duke treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe aftësi taktike operuese”, vazhdon kumtesa.
Ministri Quni para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të njësisë përkatëse u zotua për ofrimin e mbështetjes maksimale për të avancuar edhe më tej në përmbushjen e detyrës së shenjtë, në kuadër të misionit të mbrojtjes së vendit dhe sigurisë së qytetarëve tanë.