
Partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit për të mandatuar, Avdullah Hotin e LDK-së, për kandidat për kryeministër.
Ata kanë paralajmëruar edhe seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re.
Por, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj për “Front Online” thotë se nëse Gjykata Kushtetuese cakton sot masë të përkohshme, seanca e thirrur nga LDK-ja mund të shtyhet në një afat të ri.
Miftaraj thotë se Kushtetuesja mund të vendosë në bazë të meritës në lidhje me kushtetutshmërisë për dekretin e Presidentit Thaçi.
“Nëse Kushtetuesja sot cakton masë të përkohshme, sigurisht që seanca e Kuvendit duhet të shtyhet për një afat të ri të cilin mund ta caktojë Kushtetuesja. Ajo mund të caktojë një afat kohorë përmes së cilës kjo Gjykatë do të vendosë në bazë të meritës në lidhje me kushtetutshmërisë për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi lidhur me propozimin e mandatarit të propozuara nga LDK-ja”, tha Miftaraj për “Front Online”.
Ai shpreson se Gjykata Kushtetuese në bazë të mandatit të saj kushtetues, do të marrë vendim të pavarur të bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Mbesim me shpresë që Gjykata Kushtetuese në kuadër të mandatit të saj kushtetues, të marrë një vendim të drejtë dhe të pavarur i cili vendim duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë sikur në praktikat e deritanishme”, ka pohuar Miftaraj.
Sipas tij, Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të fundit, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të propozuar mandatarin për kryeministër.
Megjithëkëtë, Miftaraj thotë se partia e Albin Kurtit, është thirrur në dispozita kushtetuese, që sipas tij janë të pabaza.
“Shohim lojëra politike nga vet Vetëvendosje e cila përkundër faktit që është fituese e zgjedhjeve dhe ka të drejtë për të propozuar mandatarin për kryeministër dhe të njëjtën gjë nuk e kanë bërë, duke u thirrur në dispozitat e Kushtetutës, që për mendimin tim janë të pabaza dhe nuk reflektojnë në gjendjen në të cilën gjendemi ne”, ka thënë ai.
Në kërkesën e saj për të arsyetuar pezullimin e vendimit të Presidentit për dekretin e mandatarit, Vetëvendosje iu është referuar Kushtetutave të gjashtë shteteve të ndryshme, në mesin e tyre edhe të Serbisë.
Për këtë, Miftaraj ka theksuar nevojën për raporte të mira të shtetësisë edhe me shtetin serb. E, që sipas tij, një referencë e tillë nuk do të ketë ndikim negativ.
“Në letrën e Vetëvendosjes janë referuar një numër jashtëzakonisht i shteteve. Për mua Serbia është si çdo shtet tjetër. Nuk është mirë që çdo gjë ta politizojmë në një shkallë të tillë. me Serbinë sigurisht që Kosova duhet të zhvillojë raporte në kuptimin e shtetësisë, por nuk mendoj që një referencë e tillë mund të ketë çfarëdo ndikimi”, deklaroi Miftaraj.
Kësisoj, ai thotë se Gjykata Kushtetuese vështirë do të marrë vendim në favor të Vetëvendosjes.
Për këtë, ai thotë se argumentet e Vetëvendosjes në kërkesën e hartuar, nuk janë të mjaftueshme.
“Për mua ka qenë jashtëzakonisht zhgënjyese se si e kanë hartuar letrën dhe argumentet që i kanë japë. Mendoj që Kushtetuesja do t’ua bënë jashtëzakonisht shumë të vështirë për të vendosur në favor të tyre. Në asnjë mënyrë nuk ndikon në statusin e Kosovës e as në faktin e referimit të Kushtetutës së Serbisë”, tha Miftaraj për “Front Onliine”.