
Pesë restorante dhe bare në Stokholm të Suedisë janë mbyllur nga autoritetet lokale pasi inspektorët vlerësuan se ato nuk i kanë respektuar masat e sigurisë kundër përhapjes së Covid-19.
Zyrtarët kryen inspektime në këto vende pas shqetësimeve se disa lokale nuk janë duke krijuar kushte për të nxitur distancim social mes klientëve, shkruan “BBC”.
Autoritetet u dhanë vërejtje edhe disa restoranteve tjera gjatë fundjavës që shkoi. Inspektime u kryen edhe në qytetin Lund, ku të gjitha lokalet ishin duke i zbatuar masat.
Suedia i ka mbajtur të hapura restorantet, baret dhe kafenetë që nga fillimi i përhapjes së virusit, por muajin e kaluar kërkoi nga këto lokale që të ofrojnë vetëm shërbime në tavolina për t’i shmangur turmat e njerëzve në banak.
Shteti skandinav është kritikuar nga ekspertë të ndryshëm për mungesën e masave kufizuese dhe shkallën e lartë të viktimave të koronavirusit për një milion banorë në krahasim me vendet fqinje.