Më 30 deri më 31 tetor të këtij viti, Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), duke synuar në vazhdimësi përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të saj në pikat kufitare dhe ngritjen e vazhdueshme profesionale të personelit, ka mbajtur trajnim dyditor rreth rëndësisë dhe funksionimit të Sigurimit. Në fjalën e tij hyrëse, drejtori ekzekutiv z. Sami Mazreku, i njoftoi të pranishmit rreth procedurave dhe planeve të Byrosë, si dhe kërkoi nga ata përkushtim edhe më të lartë në kryerjen e detyrave ndaj policëmbajtësve.
Mazreku vuri theks të veçantë te zhvillimi i industrisë së sigurimeve në Kosovë, si dhe aktivitetet e ndjekura nga BKS gjatë këtij viti, e në veçanti për mbylljet e dëmeve, të cilat Byroja me sukses ka arritur t’i kryej, përfshirë këtu edhe shifrat e sakta të rasteve të kryera, gjë që e bënë Byronë të jetë në krye të të gjitha obligimeve që dalin si rezultat i legjislacionit në fuqi.
Pavarësisht nga reformat dhe rezultatet e treguara deri më tani, kërkesa e z. Mazreku për më shumë përgjegjësi dhe administrim më të mirë të detyrave dhe punëve, mbetet një kurbë në rritje, një sfidë që kërkon ndërmarrjen e veprimeve dhe iniciativave të reja, që do të mundësojnë përmbushjen e pritshmërive të obligimeve të Byrosë. Z. Mazreku shprehu falënderim ndaj të gjithë të pranishmëve për bashkëpunimin institucional të deritanishëm.
Ky trajnim ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të diskutuar mbi ndikimin dhe rëndësinë e sigurimeve. Trajnime të tilla janë shumë të vlefshme për të ndërtuar një vizion më të qartë dhe duke shkëmbyer ide për një angazhim edhe më të madh për çështje të sigurimeve.